Testimi i zhvilluar sot nga të rinjtë e të rejat që kanë ambicie për tu bërë pjesë e Patrullës së Policisë, përbën 70% të vlerësimit final, i cili do kalojë në tre faza.
Gjatë një interviste televizive, zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj ka theksuar se, procesi i testimit është transparent dhe secili nga kandidatët do të marri atë që meriton. “Janë 2 120 kandidat për 500 vende. Testi ka në bazë njohuritë e shkollës së mesme. Pra mosha minimale për të aplikuar për Patrullë të Përgjithshme në test është 18 vjeç e sipër. Përgatitet testi sipas rregullave të maturës së përgjithshme e merret në dorëzim nga Policia kur të gjithë aplikantët kanë hyrë ne sallë”.
“Futja në sallë bëhet përmes kontrollit të rreptë të kandidatit. Në sallë çdo kandidat merr një numër unik. Nuk lejohen telefona. Media ishte prezent dhe ka monitoruar situatën. Gjatë zhvillimi të testimit, salla monitorohet me kamera. Ka një staf shumë të madh njerëzish nga akademia e Policisë për mbikëqyrje. Kjo është hera e 5 që realizohet ky konkurs dhe gjithnjë ka qenë transparent dhe ka pasur një numër minimal ankesash, të cilat nuk lidhen me thelbin e gjithë këtij konkursi”, tha zv/ministri.
“Faza e parë, testi me shkrim është 70% e vlerësimit total, pas kësaj të kualifikuarit kalojnë testet fizike, atletike, për të kuptuar se dikush është i aftë fizikisht për ta përballuar punën. Kjo vlen 20%, e vlerësimit total dhe në fund janë intervistat, që ne i quajmë test psikologjik, kjo është 10% e vlerësimit total”, tha ai.
“Nga ky testim me shkrim seleksionohen më shumë se 500 persona, se do kalojnë te faza e dytë, te testimi i pjesës fizike. Të kesh luksin të zgjedhësh në mbi 2 000 persona është gjë e madhe dhe tregon interes të lartë. Interesi edhe më parë ka qenë i kënaqshëm. Policia e Shtetit tashmë frymëzon besim, shihet si garantues i të drejtave qytetare”, tha zv/ministri Hodaj.
Hodaj kujtoj se paralelisht me konkursin për Patrullë të Përgjithshme është dhe konkursi për ekselentët.
“Kemi dy konkurse paralele, ky që sot është për patrullë të përgjithshme, konkursi që do zhvillohet në fund të muajit shtator, që i ka të hapur aplikimet deri në 15 shtator është për ekselentët. Ato që kanë një mesatare mbi 8 bachelor apo Master dhe kanë të mbrojtur anglishten. Të favorizuar janë ato që kanë përfunduar juridik, ekonomi, apo inxhinieri elektronike ekzakte…etj. Duam të tërheqim profile që na nevojiten për tu fuqizuar. U shty qëllimisht deri në 15 shtator data e aplikimeve, që dhe ato që mbarojnë këtë vit të kenë mundësi të aplikojnë. Këto futen menjëherë te struktura e hetimit”, tha Hodaj.
Sa i takon Vettingut në Polici, zv/Ministri i Brendshëm tha se ky është një proces ka nisur nga koka. “Procesi po vijon me ritme të kënaqshme. Ai nuk është i varur nga Ministria e Brendshme. Dosjet e para janë gati dhe drejtuesit e lartë shumë shpejt do jenë në seanca dëgjimore”.
“Informacioni që mblidhet nga autoriteti i dosjeve analizohet me kujdes dhe aty vlerësohet nëse një punonjës i policisë ka qenë pjesë e sigurimit të shtetit dhe kjo do vihet në peshore. Po ashtu shihet dhe pastërtia e figurës së punonjësit të Policisë. Ballafaqohen faktet dhe informacionet. Të gjithë punonjësit e Policisë do të dalin në seanca dëgjimore, të cilat do të jenë të ngjashme me ato që ndodh te Drejtësia, me Prokurorët e Gjyqtarët”.
“Në fund të këtij procesi ato që do kalojnë vettingun do jenë punonjës që e meritojnë të jenë aty dhe kanë integritetin e duhur për ta realizuar atë detyrë. Seanca dëgjimore do të jenë të hapura për publikun e median”, tha Hodaj.
Lidhur me futjen e Ushtarakëve në Polici, Hodaj tha se është një ndihmë e madhe për sektorin e hetimit, teksa njoftoi ngritjen e një strukture të veçantë për kapjen e personave në kërkim.
“Kjo u mundësua në bazë të ndryshimeve të ligjit të Policisë së Shtetit në janar të këtij viti. Policia e Shtetit duke qenë forca përgjegjëse për rendin publik ka mundësi të marrë elementët më të mirë nga të gjitha fushat e jetës, këtu nuk përjashtohet dhe ushtria. Në vazhdim të asaj nisme, është krijuar një strukturë e veçantë në Policinë e Shtetit për kapjen e personave në kërkim. Pra, ndryshon komplet metodologjia, deri dje kemi pasur njësit rajonale policore, që e realizonin këtë punë, sipas zonave ku banonin. Sot kemi një strukturë të centralizuar për kapjen e personave në kërkim dhe kjo strukturë ka dy pjesë. Pjesën e inteligjencës dhe pjesën operacionale ku futen dhe të ardhurit nga Forcat e Armatosura, të cilët janë dhe të trajnuar falë karrierës së tyre te Forcat e Armatosura. Kjo nuk është shpikje e jona, por eksperiencë e marra nga vende të tjera më të zhvilluar”, tha zv/Ministri
Hodaj tha se lufta ndaj Kanabisit nuk ndalet. “Nuk ka asnjë lënie në hije. Impenjimi anti kanabis vijon si në vitet e shkuara. Lufta ndaj këtij fenomeni vijon të funksionoj dhe këtë vit dhe është mirë që herë pas herë dhe të publikohen rezultatet dhe arritjet sepse faktohet se në terren nuk po cedohet në asnjë centimetër. Qëllimi është i qartë, Shqipëria të dal dhe duhet thënë se ka dalë nga harta e vendeve ku kultivohet kanabis”.
“Raste mund të ketë tek tuk, dhe do të ketë, por kemi kaluar nga faza kur ishte e institucionalizuar ky fenomen e ku thuhej me krenari që mos ndërhyrja në Lazart ishte vendim politik, siç thoshte ish kryeministri, në një fazë sistematike lufte, ditë për ditë, gjatë gjithë vitit, nga janari në dhjetor.”, garantoi Hodaj.
Lidhur me aksidentet automobilistike, Hodaj tha se numri i tyre vijon të jetë në ulje. “Sezoni veror ka disa lloj problemesh, duke nisur që nga shtimi i hyrjeve e dalje në kufi që kërkon impenjim të madh nga forcat policore përkatëse kufitare. Vazhdon me qarkullimin rrugor. Dhe ka një numër të shtuar automjetesh që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë”.
“Në aksidentet ka një punë të nisur që para 10 viteve. Numri i aksidenteve dhe të plagosurve kanë ardhur gjithnjë në ulje. Këtë tetë mujor janë regjistruar 122 më pak aksidente, 6 më pak të vdekur, se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër është gjysma e asaj që ndodhte 10 vite më parë”, theksoi Hodaj.