Shqipëria shkundet nga 6 lëkundje tërmeti. Tërmeti i magitudës 5.8 me epiqendër në detin Adriatik dhe intensitet 7.5 Merkalli, 30 km në veri të Durrësit, është ndjerë në të gjithë qytetet e vendit ne ora 16:09. Lëkundja e dytë është shënuar në orën 16:15 me magnitudë 5.2. Këto ishin dhe dy lëkundjet më të forta të tërmetit me epiqendër në detin Adriatik pranë Durrësit.
Deri më tani në spitalin e Traumës në kryeqytet janë paraqitur 52 persona të cilët kanë pësuar lëndime jo te renda. Ndërsa në spitalin e Durrësit janë dërguar për të marrë ndihmën mjekësore 16 persona.
Kryeministri Edi Rama ka anuluar udhëtimin për në New York pas lajmit për tërmetin. Rama ndodhet në Frankfurt dhe pritet të kthehet në Tiranë në orët në vazhdim.
Grupi i Menaxhimit në bashkëpunim me strukturat e tjera drejtuese kreu një verifikim paraprak të situatës në të gjitha institucionet e varësisë së Ministrisë së Drejtësisë, dhe veçanërisht pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Vlen të theksojmë se në Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, situata paraqitet e qetë dhe pa probleme si në drejtim të sigurisë njerëzore, ashtu dhe shëndetit të punonjësve të strukturave të burgjeve dhe të shëndetit të të paraburgosurve dhe të dënuarve. Në momentet e lëkundjeve të tërmetit, në kuadër të menaxhimit të situatës, janë ndjekur me përpikmëri kërkesat e Planit të Emergjencës në Burgje, duke nxjerrë të dënuarit për çështje sigurie fizike në ambientet e ajrimit.
Në përgjigje të situatës, në bazë të Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve dhe legjislacionit në fuqi, Ministri i Drejtësisë ka urdhëruar kalimin në gjendje gadishmërie, në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në afërsi të epiqendrës së tërmeteve, ku janë ndjerë lëkundjet dhe po zbatohet plani i masave përkatëse në çdo IEVP.
Për të gjitha institucionet e varësisë, po vijon inspektimi i detajuar për evidentimin dëmeve të mundshme materiale. Situata është në monitorim dhe në ndjekje të vazhdueshme!”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka vizituar të lënduarit nga tërmeti në Spitalin e Durrësit. Bëhet e ditur se deri më tani në spitalin e Durrësit janë dërguar 21 persona, kryesisht me fraktura në gjymtyrë. Ekipi mjekësor në këtë spital është në gjendje gatishmërie, ndërsa gjendja shëndetësore e lënduarve paraqitet e stabilizuar.


