80-vjeçarja Bardha Tuci nuk ka asgjë të bardhë në jetën e saj. E mbetur fillikat, të vetmet pasuri ka këtë kec e ca shpendë. Tërmeti i fortë i së mërkurës i shkatërroi banesën e vjetër në Manëz. Nga frika e madhe se ngrehina do të shembej, e moshuara e ka gdhire natën jashtë. Banesa e Bardhës tashmë është e pabanueshme, por e moshuara me kokëfortësi refuzon ta braktise.
“Jashtë kam ndenjur mbrëmë. Jam 80-vjeçe. Asnjë sens s’ja kam më shpirtin, skam asgjë. Pa shtëpi, pa katandi, skam asgjë. Kam një gocë, ajo është në Angli, ndihmë prej asaj skam, por është në hall të fëmijës së vet. Sot këtu do fle, me frikë gjithë natën. Ça të bëj unë e shkreta. Skam ndihmë”, tha e moshaura.
Gazetarja: Ajo rri disa ditë tek shtëpia ime.
E moshuara: Ku e ke shtëpinë?
Gazetarja: Në Durrës. Ça do t’i të bëj unë?
E moshuara: Ti faleminderit që erdhe më pe.
SITUATA NË MANZË
4 familje u dëmtuan më rende në njësinë administrative të Manzës nga lëkundjet e tërmetit. Altin Kurti me tre fëmijët e mitur ka mbetur në qiell të hapur. Tavani dhe dyshemeja e banesës së tij janë çare. Altini tregon tmerrin që përjetoi gjate tërmetit, kur dy fëmijët e tij të vegjël ndodheshin brenda shtëpisë duke luajtur. “Kur mora vesh se fëmijët ishin brenda u terrorizova. U përplasa sa nga një cep në tjetrin dhe i tërhoqa zvarrë dhe i nxora jashtë. Djalit të vogël mi ra të fikët. Ata ishin futur poshtë krevatit. Erdhën ata të Emergjencave Civile dhe më thanë që mos t’i afrohem shtëpisë”, tha ai. Shtabi i emergjencave në Manëz ka evidentuar dëmet. “Ka probleme nga më të ndryshmet. Lëvizje çatish edhe gjerash”, tha Fabian Kurti, shef i emergjencës Manëz. Epiqendra e tërmetit ishte në Hamallaj 5 km larg nga kjo zonë në të cilën lëkundjet shkaktuan mjaft dëme.


