Në ditët e para të fatkeqësisë natyrore të 26 Nëntorit, vullnetarët ishin të parët që iu përgjigjën menjëherë thirrjes për të shërbyer në zonat e dëmtuara nga tërmeti, duke ofruar kontributin e tyre. Modestë, pa fjalë dhe pa dashur të shfaqen në ekran, vullnetarët u vënë në dispozicion të Shtabit të Emergjencave Civile që u ngrit menjëherë pas tërmetit tragjik, për të ofruar ndihma në ushqime e veshmbathje në zonat e prekura nga tërmeti.
Por pak kush e di se në Ministrinë e Brendshme është ngritur një strukturë e re për vullnetarët që duhet të shërbejë në raste fatkeqësish.
Një prej organizatorëve të strukturës së vullnetarëve në ministrinë e Brendshme, Erjo Mile, në një intervistë radiofonike për “Portal Durrës” shpjegoi mënyrën e ngritjes së strukturës. “Organizimi i vullnetarëve u bë përmes portalit qeveritar e-albania. Më pas ata u shpërndanë në të gjitha qarqet që u prekën nga tërmeti i 26 Nëntorit. Portali shërbeu si pikë e vogël për të grumbulluar sa më shumë vullnetarë e më pas përfaqësia u rrit çdo ditë e më shumë.
Shtabi i Emergjencave Civile i cili ka pasur në varësi këtë strukturë vullnetarësh, ka bërë dhe shpërndarjen e tyre në qarqe”, tha Mile. Sipas tij, kjo strukturë ka qenë risi dhe vullnetarët më aktivë ka qenë të rinjtë studentë e gjimnazistë. “Kemi pasur mes aplikimeve dhe qytetarë, të moshuar, por studentët e Universitetit të Durrësit kanë qenë më të shumtë”, tha Erjo. Mile tha se më parë grupi i vullnetarëve është trajnuar për ndihmën që do të ofronin. “Ne sot mund të themi me krenari se në bashkinë e Durrësit ata që shërbejnë në sportele, në linjat e emergjencave, janë vullnetarë.
Ata që përgjigjen janë vullnetarët. Ata po punojnë në pjesët institucionale, madje me 3 turne për tju përgjigjur çdo thirrje të qytetarëve për informacion”, tha Erjo Mile. Mile tha se është bërë një organizim i shkëlqyer në qendrën Dispecer që u hap në javën e parë postërmetit, në të cilën adresohen të gjitha ankesat e qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti. Sipas tij, vullnetarët janë të pranishëm në qendrat akomoduese apo në kampet ku janë vendosur njësitë lëvizëse. “Vullnetarë nuk janë vetëm individë por dhe organizata jofitimprurëse apo shoqata. Mund të përmend Urdhrin e Psikologut që ofroi ndihmën e saj të specializuar për fëmijët”, tha Erjo.
Struktura e vullnetarëve drejtohet nga zvministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka dhe shërben në 3 qarqet e prekura nga tërmeti. Mile, si drejtues i strukturës për qarkun Durrës, gjatë intervistës tha se puna e vullnetarëve do të përfundojë me mbarimin e misionit të Shtabit të Emergjencave. Por sipas tij vullnetarizmi nuk përfundon këtu. “Ne kemi krijuar një përvojë shumë të mirë të vullnetarizmit dhe do dëshironim të vazhdonte dhe në situata normale. Shpresojmë që këtë përvojë të fituar në situatë fatkeqe ta institucionalizojë brenda universitetit. Nevoja do të ketë gjithmonë për vullnetarë”, tha Mile.