Një i ri shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohet për ngacmim seksual të dy vajzave adoleshente.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 20 shtator, në një park në Misano Adriatik, në provincën e Riminit.
“Ansa” shkruan se shtetasi shqiptar është 18 vjeç.
Siç raportojnë mediat italiane, dy vajzat po bënin shëtitje në park kur u rrethuan nga tre djem më të mëdhenj se ato, mes të cilëve ishte shqiptari, një italian dhe një afrikan. Në prani të shokëve të tij, shqiptari nisi t’i prekte vajzat në vende intime.
Njëra prej tyre kërkoi ndihmë përmes telefonit të një shokut të saj dhe ky i fundit ishte ai që lajmëroi policinë.
Shqiptari është arritur të prangoset vetëm pas disa ditësh, pasi u njoh edhe nga të dyja vajzat.
Mësohet se i riu nuk ishte emër i panjohur për policinë, pasi akuzohet dhe për grabitje. Tashmë ndaj tij do të rëndojë edhe akuza për ngacmim seksual.


