Athina është kundërpërgjigjur me tone të ashpra pas dëbimit të dy diplomatëve të ambasadës greke në Moskë. Ministria e jashtme ruse vendosi dëbimin e tyre, në bazë të parimit të reciprocitetit, pasi më herët ishin dëbuar nga Greqia dy diplomatë të ambasadës së Rusisë në Athinë.
Ministria e jashtme greke e cilëson si “arbitrar dhe hakmarrës, që nuk bazohet në as një provë”, vendimin e Moskës. “Vendimi i ministrisë së jashtme ruse nuk bazohet në prova, sikundër vendimi i palës greke që bazohej në prova të faktuara për veprimtarinë e jashtëligjshme të diplomatëve dhe qytetarëve rusë në territorin grek,”-thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke, që u publikua të premten në mesditë.
“Rusia në këto momente duket se nuk mund të kuptojë qëndrimet parimore të politikës së jashtme greke. Tregon se nuk e kupton që Greqia ka interesat e veta si kritere në politikën ndërkombëtare,”-vazhdon deklarata e ministrisë së jashtme greke.
“Sa u përket masave arbitrare që mori udhëheqja e ministrisë së jashtme ruse, Greqia do të përgjigjet me durim dhe kthjelltësi,”-përfundon deklarata e Athinës.


