Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas tensioneve në Veri të Kosovës të cilat janë përshkallëzuar ditën e sotme.
Rama shprehet se kjo nuk e ndihmon procesin për normalizimin dhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, ku janë angazhuar të gjithë miqtë e mëdheënj të shqiptarëve.
Ai bën thirrje të mos ecet më tej në këtë shteg të rrezikshëm në një kohë kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar!
Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Rama.


