Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) i konsideron si tërësisht të pavërteta pretendimet për parregullsi në procedurën e tenderimit të Lejeve të Drejtimit, të publikuara në një media online.
Lidhur me këtë procedurë DPSHTRR sqaron se, prokurimi për Lejet e Drejtimit, është zbatuar konform ligjit dhe transparent.
DPSHTRR në cilësinë e Autoritetit Kontraktor më datë 22.01.2018, ka çelur procedurën elektronike të prokurimit me objekt “Blerje prokat leje drejtimi”. Për këtë objekt prokurimi kanë shfaqur interes disa operatorë ekonomikë, të cilët kanë paraqitur dokumentacionin e tyre mbi kriteret e vendosura në Dokumentacionin Standard të Tenderit (DST) nga Autoriteti Kontraktor.
Përsa i përket shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave të paraqitura për këtë objekt prokurimi do të zbatohen të gjitha kriteret dhe afatet ligjore.
Gjithashtu njofton DPSHTRR, elementet grafike dhe të sigurisë së Lejes së Drejtimit janë përcaktuar nga instancat e autorizura dhe elementet e reja kanë qenë në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Europian. Dizajnimi dhe realizimi i tyre është bërë në fillim të vitit 2017, pas një procedure të hapur prokurimi, ku fituese doli kompania “CETIS, Graphic and Documentation Services d.d.”.
Elementet e grafike dhe të sigurisë së Lejës së drejtimit, nuk ndryshohen sa herë që prokurohet ky mall, por mbeten të njëjta. Në çdo rast kjo Leje Drejtimi do të vazhdojë të jetë e tillë dhe ndryshon vetëm mbështetur në Kodin Rrugor si dhe aktet nënligjore dalë në zbatim të tij.
Kinegrama e miratuar është pjesë e elementëve grafike dhe të sigurisë të lejes së drejtimit, dhe si e tillë është e prodhuar pranë kompanisë KINEGRAM, pjesë e grupit “KURZ Group”, një prej kompanive më të mëdha botërore në fushën e sigurisë.
Fakti që ky element në vitin 2017 është levruar nga kompania Cetis nuk cënon konkurrencën në këtë procedurë prokurimi. Në çdo rast, një kompani do të prodhonte fillimisht modelin e ri të Lejeve të Drejtimit, çka nuk do mund tja hiqte asaj të drejtën të merrte pjesë në procedurën pasardhëse për prodhimin e lejeve të drejtimit.
Afati prej 90 ditësh, i vendosur në Dokumentet Standarde të Tenderit, për realizimin e kësaj procedure është bazuar në eksperiencat e mëparshme të procedurave të organizuara nga DPSHTRR për këtë objekt prokurimi gjatë një periudhe 11-vjeçare. Ky afat është i njëjtë për të gjithë operatorët e mundshëm ekonomik, pasi të gjithë do të kryejnë të njëjtën proçedurë pune për lëvrimin e këtij malli.
Subjektet e interesuara kanë pasur gjithë hapësirën e duhur ligjore për të shprehur objeksionet e tyre për këtë procedurë.
Deri në ditën e hapjes së procedures asnjë ankesë nuk është paraqitur nga ndonjë operator i mundshëm lidhur me këtë çështje.
Aktualisht Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është duke shqyrtuar gjithë dokumentacionin e paraqitur nga subjektet e interesuara dhe do të shpallë fituesin e procedurës së tenderimit brenda afateve të përcaktuara në ligj.
DPSHTRR siguron opinionin publik se do të vazhdojë të zbatojë me përpikmëri të gjitha detyrimet ligjore në aktivitetin e saj institucional.