Zyrtarët shqiptarë nuk e mirëpresin futjen në tregun e telefonisë mobile të kompanisë Telekom Serbia.
Burime të brendshme kanë bërë të ditur se drejtuesit e ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësues të kompanisë serbe i kanë shprehur atyre faktin se futja në tregun e telefonise celulare mund të rezultojë problematike edhe për vetë Telekom Serbia për shkak të ngjyrimeve politike që mund të marrë.
Nga burimet është mësuar gjithashtu që Telekom Serbia ka bërë ofertën më të mirë financiare me rreth 60 mln euro për të blerë Telekom Albania.
Drejtuesit e lartë shqiptarë i kanë shprehur kompanisë se Shqipëria i vlerëson investitorët serbë në ekonominë shqiptare, por në këtë sektor strategjik mund të lindin shumë kontradikta.
Interesi i “Telekom Serbia” për të marrë pjesë në garën e blerjes së “Telekom Albania” është përshëndetur nga ministri serb i Tregtisë dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajic.
Në një komunikim për mediat, ministri serb e konsideron një lëvizje të mirë, por edhe mjaft të logjikshme, që flet vetë për fuqinë dhe potencialin e kësaj kompanie.
Sipas Lajic, nëse do hynte në tregun shqiptar, “Telekom Serbia” do tregojë aftësinë e saj për të investuar edhe në tregje të tjera rajonale si Shqipëria, përveç atij të Malit të Zi dhe Bosnjës, ku është tashmë prezente.
Sipas kreut të komunikacionit serb, nëse Telekom Serbia arrin të blejë “Telekom Albania”, kompania serbe mund të kthehet në një lider të telekomunikacionit në Ballkan, ndonëse e pranon se është ende herët të flitet për rezultatin. Marrë nga Albanian Enterprise Institute