Drama “Prostituta” shkruar dhe me regji nga Leka Bungo shënoi mbrëmjen e fundit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
Mbrëmjet e datave 24 dhe 25 dhjetor vepra u shfaq për publikun në sallën “Moliere”. Autor dhe regjisor në shfaqje Bungo rolet në vepër ia besoi aktorëve Viktor Zhusti, Julinda Emiri, Bujar Asqeriu, Mehdi Malka, Natasha Sela, Vangjel Toçe.
Vepra flet për një histori të vërtetë, e vërtetë deri në dhimbje. Ajo zë fill në vitet nëntëdhjetë, kur ata ishin ende të rinj. Ngjarja flet për një vajzë 16-vjeçare e cila ka rënë pre e prostitucionit në moshë të brishtë. Ajo erdhi në kishë për t‘u rrëfyer pikërisht ditën e Krishtlindjes.
Të tillë rrëfim tronditës nuk ishte dëgjuar ndonjëherë, jo vetëm nga njerëzit, por as nga dhomëza e vogël e Sankristisë në Kishën e Zojës.
Ajo e nisi rrëfimin e saj… “Padre, ndoshta nuk ju ka rastisur asnjëherë që një prostitutë të rrëfehet përpara jush”.
Përjetimet dhe kujtimet e saj erdhën në këtë shfaqje nëpërmjet gjetjeve regjisoriale, të cilat mbajtën të gozhduar publikun për sa i përket zhvillimit të ngjarjeve duke iu drejtuar zgjidhjes finale të veprës.