Konferenca “Mediat në Ballkan” në ditët e lirisë së shtypit kanë sjellë në Tiranë veç të tjerave edhe komisionerin e zgjerimit në Bashkimin Europian, Jahannes Hahn i cili foli menjëherë pas Kryeministrit Rama në aktivitet, duke dhënë disa mesazhe “politikisht korrekt”. Edhe Rama foli jo si disa ditë më parë përballë gazetarëve, por siç në përgjithësi liderët politikë shqiptarë flasin përpara zyrtarëve perendimorë. Edhe zyrtari i Brukselit, foli gjithashtu siç gjithë të tjerët e rangut të tij, flasin sa herë që vijnë në Shqipëri apo në vende me nivel demokracie si edhe ne.
Problemi më i madh që ka një vend si Shqipëria në raport me raport me profesionalizmin e medias, është më së shumti një raport i saj me lirinë. Për shkak të mungesës së lirisë gjithfarësh përgjatë historisë, ushtrimi i të gjitha lirive fillon dhe mbaron tek liria e fjalës, e shprehjes, e medimit e gjykimit dhe tek e drejta për ta mbrojtur atë publikisht. Të çliruar nga vargonjtë e pushtimeve, diktaturave, luftrave ideologjike, censurës, kufizimeve të lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit të lirë të ideve, pas 1990 shqiptarët njohën për herë të parë “livadhet” e munguara të hapësirave të pamata të lirisë. Përfshi këtu, sigurisht lirinë e shprehjes dhe të së drejtës kushtetuese e universale të çdo njeriu, për informim.
Mediat e reja private, liria e informimit pa kufij nëpërmjet internetit dhe dehja sa nga liria e sa nga mungesa e funksionimit të drejtësisë dhe institucioneve, ka bërë që shpesh kjo e drejtë e kjo liri në media të konsiderohen si një mundësi për të abuzuar nëpërmjet “fake news”-eve, shpifjeve, shantazhit, gjobvënies, lojërave të grupeve dhe individëve të caktuar kundër të tjerëve për shkaqe nga më të ndryshmet, përfshi edhe hakmarrjet individuale primitive e deri tek ëndrra për tu fuqizuar, për të përfituar abuzivisht, për tu faktorizuar publikisht, nëpërmjet filozofisë së harruar arkivave me far west-e virtualë.
Komisioneri Hahn tha se “media duhet të jetë e paanshme, e përgjegjëshme, të mos manipulojë informacionin, të mos jetë e politizuar”, e disa gjëra të tjera nga këto që janë dëgjuar shumë herë të thuhen në anglisht e shqip në Tiranë. Ajo që ka më shumë nevojë shoqëria shqiptare sot në raport me drejtën e fjalës, mendimit dhe medias në veçanti, është ndërtimi i një infrastrukture demokratike ligjore, kulturore dhe administrative që të fusi dhe mbajë mbi binarët e shenjtërisë së mrekullisë që solli liria, këtë dimension të munguar përgjatë historisë.
Nuk duhen shumë gjëra për ta realizuar këtë. Mbi të gjitha vullnet politik dhe koshiencë shtetërore. Me pak vullnet më shumë dhe me shumë më tepër rregulla loje edhe në këtë fushë, shpërdorimi i lirisë do të jetë një ëndërr e keqe që duhet ta lemë pas, për të krijuar një realitet të ri e të munguar sot. A është edhe kjo vetë një ëndër në fakt? Ndoshta. Por ska pse ajo të mos jetësohet si edhe shumë ëndrra të tjera, të jetësuara falë edhe lirsë së medias, pse jo në këtë vend.


