Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi shpopullimin, ekonominë dhe ndikimin e krimit të organizuar si problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria.
Gjatë një takimi me diasporën shqiptare në SHBA, Berisha tha se mbi 46% e shqiptarëve janë larguar nga vendi gjatë dhjetë viteve të fundit. Ai e lidhi këtë fenomen me atë që e quajti “regjim të drogës” dhe me ndikimin e parave të narkotikëve në ekonomi dhe institucione.
“Ky regjim ka një fuqi helmuese të paparë në historinë tonë, dhe kjo fuqi helmuese është droga”, tha Berisha.
Sipas kreut demokrat, hyrja e parave të pista ka ndikuar edhe në kursin e këmbimit. Ai deklaroi se euro është zhvlerësuar me 35% dhe dollari me 32% gjatë dhjetë viteve në Shqipëri, duke argumentuar se kjo ka goditur eksportet, bizneset dhe remitencat.
“Me këtë janë shkatërruar, kanë falimentuar me mijëra ndërmarrje”, u shpreh ai.
Berisha e lidhi gjithashtu dobësimin e monedhës me atë që e konsideroi pasojë të “narkoeurove”, duke thënë se ekonomia shqiptare po përballet me një deformim të shkaktuar nga paratë e drogës.
Në fjalën e tij, ai akuzoi qeverinë se krimi i organizuar ka ndikim në institucionet shtetërore dhe në zgjedhje.
“Kjo nomenklaturë që ka në dorë këto miliarda, kjo vendos për çdo gjë. Vendos ministrat, vendos drejtorët e policive, vendos zyrtarët, vendos zgjedhjet”, deklaroi Berisha.


