Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan e dënoi ashpër sulmin izraelit ndaj xhamisë Al Aksa duke shprehur solidaritetin e tij të plotë me palestinezet.
“Fatkeqësisht, sulme të tilla të urryera kundër xhamisë tonë Al Aksa ndermerren çdo muaj të shenjtë të Ramazanit. Vëllezërit dhe motrat tona palestineze duhet ta dijnë se Turqinë e kanë në krah në çdo rrethanë”, shkroi Erdogan në Twitter.
Presidenti turk tha me tej se Izraeli, një shtet mizor dhe terrorist sipas tij po sulmon myslimanet që nuk kanë qëllim tjetër përveçse të mbrojnë shtëpitë e të parëve të tyre, e i bëri thirrje ndjekësve të këtij besimi në mbarë botën të ngrihen kundër kësaj padrejtësie.
136 vetë mbetën të plagosur nga përleshjet mes besimtarëve palestinezë dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një objekt i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. Përplasja shënoi pikën kulmore të disa javë trazirave në Jeruzalem.
Pjesa më e madhe e të lënduarve kishin marrë plagë në fytyrë e sy nga plumbat e gomës dhe copat e shashkave të përdorura nga policia. Forcat izraelite të rendit thanë se gjashtë policë kishin pësuar lëndime. Një seri incidentesh të dhunshme kanë shoqëruar kremtimet me rastin e muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Deklarata e Erdogan
“Çdo musliman e ka për detyrë të mbrojë dinjitetin, nderin, krenarinë e qytetit të shenjtë të Jeruzalemit Çdo sulm që kryhet ndaj vendeve të adhurimit, veçanërisht ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe muslimanëve në Jeruzalemit, në të njëjtën kohë nënkupton se është kryer edhe ndaj nesh. Është detyrë e çdo individi që thotë se ‘jam njeri‘ që të kundërshtojë mizorët që ndotin Jeruzalemin, qytetin e tri feve të shenjta me sulme të pandërgjegjshme, imorale, të paligjshme dhe mosrespektuese. Të gjithë ata që qëndrojnë të heshtur ndaj sulmeve të shtetit të Izraelit dhe që nuk mbajnë një qëndrim të denjë ose që ofrojnë mbështetje indirekte, janë partnerë të mizorisë së përjetuar atje”, tha Erdo?an.


