Tre vlonjatë u arrestuan sot pasi lëviznin me armë në brez ndërsa dy prej tyre ishin të shpallur në kërkim. Në prangat e policisë kanë rënë Kristo Drolli 50-vjeç, Ariel Kingji 21-vjeç dhe Shpati Lena 37-vjeç.
Mësohet se Ariel Kingji ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 04.08.2019, në lagjen “1 Maji”, Vlorë.
Si ndodhi vrasja
Ariel Kingji dhe Shpati Lena ishin në kërkim prej vitit 2019. Ata akuzohen si autorë të rrahjes së Gazmend Alushit në nëntor të atij viti, sherr i cili solli vrasjen e Arben Beqirajt. Viktima bashkë me miqtë e tij ishin në lokalin e tyre buze detit në Vlorë ndërsa Gazmend Alushi ndodhej aty pranë duke shëtitur me kalin në pronësi të Eduart Xhezos.
Arben Beqiraj është bezdisur nga zhurma e kalit dhe pasi ka debatuar me kujdestarin e kalit Gazmend Alushi e ka goditur këtë të fundit. Gazmend Alushi është ankuar tek pronari i kalit Eduart Xhezo për këtë incident.
Kjo ka bërë që Eduart Xhezo bashkë me dy miqtë e tij Ariel Kingji dhe Shpati Leno të armatosur të shkonin në lokalin e Arben Beqirajt dhe pasi janë përplasur fizikisht janë konfliktuar me armë.


