Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD në selinë blu për të dhënat e hakuara nga iranianët të cilat janë publikuar prej disa ditësh në rrjetet sociale.
Berisha u shpreh se personat e shpallur në kërkim qarkullojnë lirshëm në pikat tona kufitare pasi sistemet nuk funksionojnë. Megjithatë ai theksoi se pasuritë e tyre janë thërrime në krahasim me ata të ortakëve të tyre në qeveri dhe parlament.
“Çdo e dhënë e fshehtë që ka ekzistuar në arkivën e vendit për banda dhe kriminelë sot është në treg. Kjo përbën një zhvillim tronditës. Por kur mendohesh dhe konstaton se banditët më të mëdhenj të këtij vendi, shefat e bandave të vendit janë në parlament, qeveri dhe institucione atëherë është e kotë të dramatizosh diçka që në një vend normal është me të vërtetë dramatike.
Sot pikat tona kufitare qarkullojnë lirshëm të kërkuar dhe të pakërkuar pasi sistemet nuk funksionojnë. Por përsëri sot ortakët e tyre hyjnë në parlament, qeveri dhe institucione që po të krahasosh se pasuritë e krijuara nga ata me akte malavite krahasuar me qeveritarët e tjerë me firma në dokumente zyrtare, ato janë thërrime në krahasim me këto të këtyre.
Ishte një sulm i një fuqie armike por këto kanë ndodhur rëndom nga vetë qeveria dhe bandat e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri është shpërbërja e plotë e shtetit ligjor. Shpërbërja totale. Në qoftë se ndalemi në vendimin e asaj që quhet qeveri për pallatet dhe shtesat pa leje ai është një akt i pashembullt kur me ligj qeverie merren në mënyrë flagrante funksionet e parlamentit dhe pushohen çështje gjyqësore. Bllokohet sistemi i drejtësisë”, tha Berisha.