Ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, dhe ish-drejtori i KESH, Erald Elezi janë paraqitur sërish sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).
Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha bën me dije se Gjyli ka qëndruar për 30 minuta në SPAK, ndërsa ka qenë i shoqëruar me avokatin e tij.
Ndërkohë Gjyli dhe Elezi janë paraqitur në SPAK edhe javë me parë, në lidhje me vijimin e hetimeve që po zhvillohen ndaj tyre. Dy vartësit e ish-zv. kryeministres Belinda Balluku akuzohen për korrupsion dhe“shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.
Ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, dhe ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, janë marrë të pandehur në dosjen e SPAK për shkelje të barazisë në tendera.
Për Gjylin rëndojnë akuzat për shkelje të barazisë dy herë në bashkëpunim, ndërsa për Elezin po ashtu akuzë për shkelje të barazisë dy herë në bashkëpunim.
Në prill 2026, SPAK kërkoi për secilin prej tyre dënimin me 1 vit e 6 muaj burgim, me uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Hetimi lidhet me procedurat e prokurimit të tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Sipas SPAK, Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, mes tyre Gjyli dhe Elezi, dyshohet se kanë paracaktuar fituesit e procedurave të prokurimit dhe kanë krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për operatorët ekonomikë.
Në rastin e tunelit të Llogarasë, në rrethin e personave të dyshuar për përzgjedhjen me preferencë të bashkimit të kompanive turke ishin edhe Gjyli dhe Elezi, së bashku me persona të tjerë të përfshirë në procesin e vlerësimit të ofertave.


