Kryeministri Edi Rama ka shprehur jo pak konsiderata për Fierin dhe mbështetësit e PS në këtë bashki në mitingun përmbyllës të fushatës. Ai tha se gjithmonë ka qenë një mbresë e bukur në Fier, por se i sotmi është takimi më masiv që ka parë.
Rama theksoi se 30 qershori “është momenti kur populli ka mundësinë që t’i japë një mësim shembullor, karnavaleve që u mblodhën sot për të t’u konsultuar në presidencën e kthyer në seli të revolucionit imagjinar”.
“Shumë faleminderit të gjithëve. Shumë faleminderit edhe përsëri edhe këtu në Fier, njësoj si në disa bashki të tjera më duhet të them se kam qenë i pranishëm në takimet elektorale të PS qysh prej zgjedhjeve vendore të vitit 2007. GJithmonë ka qenë kënaqësi, gjithmonë ka qenë një vizitë në një burim të madh energjish. Gjithmonë ka qenë një mbresë e bukur kur kam ardhur këtu në Fier por po i thosha edhe Gramozit, por tani që e shoh të gjithë praninë tuaj asnjëherë nuk e kam parë një takim kaq masiv sa këtë herë. Besoj se ka arsye të forta për këtë prani. Nga njëra anë arsyeja është puna e palodhur, veprat e pamohueshme dhe realiteti i transformuar në këtë bashki të re që nga zemra e këtij qyteti falë drejtimit të Armandos. Dhe besoj që arsyeja tjetër e fortë është se tani më populli dhe ju që jeni këtu dhe padiskutim të parët e kanë kuptuar se në 30 qershor nuk është thjesht një çështje zgjedhjesh vendore por është momenti kur populli ka mundësinë që t’i japë një mësim shembullor, karnavaleve që u mblodhën sot për të t’u konsultuar në presidencën e kthyer në seli të revolucionit imagjinar”, deklaroi kryeministri.


