Në një takim me furnizuesit e naftës, kryeministri Edi Rama tha se rritja e çmimit në vendin tonë është e moderuar dhe ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimit në bursë për shkak të luftës në Lindjes së Mesme. Çmimi i naftës ka arritur deri në 202 lekë/litri, ndërsa kryeministri Rama u shpreh se kjo situatë ende nuk dihet se sa do të zgjasë dhe për të ndaluar abuzimin me çmimet është ngritur Task-Forca. Nga kontrollet që i është bërë sektorit të hidrokarbureve, Rama tha se rezulton se po respektohet rezerva e sigurisë.
“Çmimi është rritur, por në mënyrë shumë më të moderuar sesa rritja që është parë për shkak të rritjes së çmimit bursë në disa vende të tjera. Sipas informacioneve të marra konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, e cila fizikisht është aty për 30 ditë, ndërkohë që në kontratat tuaja figuron e garantuar për rreth 100 ditë dhe kjo është pozitive”, tha Rama.
Qeveria ka vlerësuar deri më tani se nuk është e nevojshme ngritja e Bordit të Transparencës për caktimin e çmimeve tavan. Shefi i qeverisë paralajmëroi karburantet të kenë kujdes dhe të mos abuzojnë me çmimet, duke u thënë se më mirë të kenë marzh të ulët fitimi se sa Bordin e Transparencës në kurriz.
“Qëllimin e kemi që bashkërisht të merremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk mund të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Ky është gjithë qëllimi ynë. Natyrisht, kjo do të thotë marzhe më të ulëta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulëta sesa bordin në kurriz. Ky është përfundimi në të cilin ne kemi dalë”, theksoi kryeministri Rama.
Kryeministri iu përgjigj edhe Konfindustrisë e cila i kërkoi qeverisë të rishikojë taksat, pasi në një litër naftë rëndojnë sot 4 taksa, akciza, TVSH-ja, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, kryeministri Edi Rama tha se kjo taksë nuk ka për të ndryshuar, pasi edhe nëse do prekej, taksa do të shkonte drejtpërdrejtë tek drejtuesi i mjetit, në formën e taksës për mjetin.
“Nuk besoj se ka përdorues automjeti sot që do të preferonte që në vend se ta paguante në strukturën e çmimit për aq karburant sa harxhon, se mund të mos harxhojë karburant sot fare dhe nuk paguan, në vend se paguaj aty, të paguaj katërfishin e asaj që paguan sot për makinën dhe jo vetëm kaq, po sipas kategorive të ndryshme të makinave, të paguaj në ndonjë rast edhe dhjetëfishin”, vijoi Rama.
Paratë shtesë të mbledhura nga taksat si rezultat i shtrenjtimit të naftës, Rama tha se do të shkojnë për pensionistët.
“Dua ta rikujtoj që ka vetëm një kategori që do të marrë më shumë sa herë që të jepet mundësia, qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin, qoftë edhe nga të ardhura të rritura si pasojë e situatave të kësaj natyre dhe kjo kategori është kategoria e pensionistëve, pikë”, vijoi Rama.
Deri më tani thanë ministrat e pranishëm në takim nuk është verifikuar abuzim me çmimet e shitjes më pakicë të hidrokarbureve.
“Marzhi i fitimit të kompanive deri më tani ka rezultuar 13-14 lekë për litër, që është i pranueshëm”, tha Karakaçi.
Gjatë takimit Rama dhe ministri i Energjisë Enea Karakaci thanë se kompanitë i kanë 30 ditë rezerva sigurië, ndërkohë dhanë më shumë detaje për kompaninë shtetërore që pritet të futet në treg, në rolin e importueses së karburantit, dhe furnizimin me shumicë të kompanive në vend.
“Ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg si distributor shtetëror, do i garantojë sasitë e nevojshme, duke pasur mbështetjen shtetërore dhe nga ana tjetër do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon nëpërmjet brokerave ndërkohë që ne do të synojmë të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë”, tha Rama.
“Brenda 2-3 javësh ky pr.ligj do jetë i miratuar në qeveri. Parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe tashmë rezerva e sigurisë hidrokarbure nuk do mbahet më nga subjektet tregtare hidrokarbure, por do mbahet nga Agjencia Shtetërore”, tha Karakaçi.
Kurse ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj tha se ka nisur monitorimi i produkteve të shportës, dhe se deri më tani nuk është reflektuar shtrenjtim i tyre.


