Etja për mjekë të specializuar, ka bërë që Universiteti i Mjekë- sisë të rrisë kuotat nga viti në vit. Sivjet janë përcaktuar 247 kuota pranimi për specializimet afatgjata në 32 profilet e mjekësisë.
Nga këto, 125 i përkasin Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, 95 janë kuota të lira, ndërsa pjesa tjetër ndahet midis asaj të Mbrojtjes, Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme.
RREGULLORJA E PRANIMEVE
Përpos kuotave, universiteti ka miratuar edhe udhëzimin përkatës mbi mënyrën se si do të bëhen pranimet e reja. Aplikimet nisin vetëm pas 5 ditësh e përfundojnë më 21 mars. Të drejtën për të aplikuar e kanë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet, si dhe kanë fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit të mjekut. Aplikimi bëhet personalisht në universitet.
Por më parë, kandidatët duhet të kenë bërë gati një listë dokumentesh e bashkë me të dhe pagesën e tarifës prej 5 mijë lekësh. Vetëm në fundin e këtij muaji do të përcaktohet lista e plotë e aplikantëve që përmbushin kriteret për të konkurruar, duke iu nënshtruar intervistës dhe gojë dhe asaj me shkrim. Listat e studentëve, të ndarë sipas datave përkatëse të zhvillimit të intervistës me gojë dhe në vijim të testimit që do të zhvillohet në formë dixhitale, ashtu si vitin e kaluar, edhe sivjet do t’i lihen në dorë rastësisë, duke u përcaktuar me short.
Për këtë proces do të ketë një monitorim nga komisioni i vlerësimit, i cili ngrihet posaçërisht. Testimit të parë, atij me gojë, kandidatët do t’i nënshtrohen brenda më pak se një muaji, në datën 4 prill. Ndërsa për provimin dixhital nuk ka ende një datë të saktë. “Testi i informatizuar fillon jo më parë se 30 ditë nga publikimi i fondit të pyetjeve, për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë”, përcaktohet në udhëzimin e UMT-së.
PËRZGJEDHJA E FITUESVE
Pjesën më të madhe të pikëve, 70%, kandidatët do ta fitojnë nga testimi i informatizuar, ndërsa provimi me gojë do të ketë vetëm 5%, nga 10 që ka pasur vitet e kaluara. Mesatarja tashmë do të ketë peshë më të madhe, nga 20 në 25%.
Në përfundim të testimit të të gjithë kandidatëve, komisioni i vlerësimit përgatit listën përmbledhëse të meritës me rezultatet e kalkuluara të intervistës me gojë, testimit dixhital dhe notës mesatare, duke renditur kandidatët sipas pikëve në rend zbritës. Sakaq, brenda dy ditëve, kandidatët do të mund të zgjedhin programin e specializimit afatgjatë sipas kuotave të miratuara, e pasqyruar në tabelën përbri shkrimit.
PANORAMA


