Një vrasës shqiptar në Britani nuk është dëbuar nga vendi, edhe pse çështja e tij ka pothuajse një vit që ka dalë në dritë dhe është raportuar nga mediat britanike.
Vrasësi, Selami Cokaj po punon ende në lavazhin e makinave që zotëron, nëntë muaj nga dalja e tij në media.
Cokajn e kthyen nga Britania në vitin 2009 pasi u zbulua që ai i kishte ikur një dënimi 20-vjeçar me burg në atdhe. Pak para gushtit të 2015-ës, Cokaj arriti të rikthehej përsëri në Britani.
“43-vjeçari nga biznesi i tij në Leicester fiton më shumë se 40,000 paund në vit. Ai i përdor fitimet për të jetuar në një shtëpi të shkëputur aty pranë, në një rrugë të qetë”, shkruan britanikja The Sun.
Deputeti britank Philip Davies tha për këtë çështje: “Është krejtësisht e papranueshme dhe duhet të deportohet menjëherë”.
Cokaj dhe familja e tij besohet se paguajnë 1500 paund në muaj për shtëpinë e tyre me qira dhe kanë një makinë Volvo me vlerë 52 mijë paund dhe një Volkswagen tjetër.
Kur iu afrua gazetari, Cokaj tha: “Nuk kam asgjë për të thënë. Largohu”.
Zyra Kombëtare e Britanisë së Madhe tha: “Ne jemi të vetëdijshëm për Selami Cokajn dhe aktualisht po kërkojmë deportimin e tij.”




