Ish-kryeministri Sali Berisha një ditë pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të PD, ka zhvilluar sot ‘Foltoren’ virtuale me demokratët e Jaksonsville në Florida. Ish-lideri historik i PD deklaroi se për Kuvendin e tij ka pasur presion nga Lulzim Basha i asistuar edhe nga ambasadorja Yuri Kim.
Berisha tha se Kim është kataliste e gjendjes së krijuar dhe të marrjes peng të opozitës nga qeveria. Sakaq, Berisha deklaroi se Basha vendosi në kundërshtim me çdo rregull me kërkesë të ambasadores Yuri Kim ta pengojë të futet në Parlament, por pasi dështoi, e përjashtoi nga grupi.
Për Këshillin Kombëtar të mbledhur sot nga Basha, ish-kryeministri deklaroi se dështoi pasi nuk u paraqitën as 1/3 e anëtarëve. Ai deklaroi se salla u mbush me punonjës të godinës dhe individë që nuk janë anëtarë.
“Basha e dinte që Kuvendi do t’ju tregonte vendin e meritur për shkelmimin që i kanë bërë statutit të PD dhe formueve të kësaj partie. Ka pasur presione të pandershme nga pengu i qeverisë Basha, që është vetëm deputet. I asistuar në një mënyrë a një tjetër edhe nga ambasadorja e SHBA, Yuri Kim e cila me ndërhyrjet e saj është kataliste e gjendjes së krijuar. Faktikisht, e marrjes peng të opozitës nga qeveria. Deshi të më pengojë të futem në Parlament. Pasi dështoi, më përjashtoi nga grupi. Dorëzoi sovranitetin e forcës sonë politike. I thashë, Blinken ka të drejtë të përcaktojë se kush mund të hyjë në SHBA, por s’ka të drejtë të diktojë kush do hyjë e kush jo në Parlamentin shqiptar, por këtë të drejtë e kanë vetëm zgjedhësit. Sot ai i shkarkuar komplet thërret Këshillin Kombëtar në të cilën nuk paraqitet as 1/3 e anëtarëve dhe mbush sallën me punonjës të godinës dhe individë të tjerë duke mashtruar publikisht. “-tha Berisha.


