Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzon Serbinë, për shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e 29 nëntorit 2024 në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut. Shpërthimi dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Policia e Kosovës po ndërmerr një aksion bastisjeje në Zubin Potok ndërsa po ushtrohen kontrolle në disa shtëpi të fshatit Varage ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se ishin përdorur 15 kg eksploziv.
Në një konferencë të jashtëzakonshme të organizuar në mbrëmje vonë, kryeministri Kurti e quajti “sulm kriminel dhe terrorist, dashakeq” nga fqinj verior agresiv e armiqësor që ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.
“Vetëm ditëve të fundit patën msyer me granata dore në stacioni policor në Zveçan, më 26 nëntor, mbrëmë u hodh mjet shpërthyes në afërsi të objekti Komunës së Zveçanit, e sonte ishte akti më i rëndë, ku rreth orë 19:00 në afërsi të fshatit Vragë të Zubin Potokut, me mjete shpërthyese u dëmtua kanali i Ibër-Lepencit prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe KEK-u për ftohjen e termoelektranave në prodhimin e energjisë elektrike.Ky është sulm kriminal dhe terrorist, i cili ka synuar që ta dëmtojë infrastrukturën tonë kritike, mbase më të rëndësishme që kemi”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti thirri mbrëmë këshillin e sigurimit të Kosovës ku drejtoi gishtin e fajësisë për organizimin e këtij sulmi Beogradin zyrtar dhe strukturat kriminale me në krye Radoiçiçin.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.
Kurti tha më tej se ky është sulmi i tretë ndaj institucioneve të Kosovës me synimin që të shkaktojë frikë te qytetarët në veri të vendit për ta përshkallëzuar situatën atje e pastaj edhe në krejt vendin.
SHBA e BE dënuan sulmin dhe kërkuan vënien e autorëve para përgjegjësisë.
Si pasojë e shpërthimit gjatë natës u ndërpre furnizimi me ujë të pijshëm si dhe energjia elektrike. Ndërkohë Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, deklaroi sot në mëgjes se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike për vendin dhe ngrohje qendrore për qytetarët e kryeqytetit, Prishtinë


