Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu është takuar me Kryeprokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj ku temë e diskutimit ka qenë hetimi në lidhje me sulmin me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala, në orët e para të mëngjesit të 30 gushtit.
Në orët e paradites së sotme, kreu i policisë i shoqëruar edhe nga drejtori i policisë së Tiranës kanë mbërritur në prokurori ku qëndruar për rreth 30 minuta. Gjatë takimit mes zyrtarëve mësohet se është diskutuar në lidhje me hetimet për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të së enjtes.
Hetuesit kanë thirrur dhe vetë gazetaren për ta marrë në pyetje lidhur me dyshimet për autorët e mundshëm.
Deri tani mësohet se grupi i hetimit ka sekuestruar disa kamera sigurie në zonën ku mendohet se kanë lëvizur autorët e ngjarjes, ndërsa ka marrë në pyetje edhe disa persona në cilësinë e dëshmitarëve por ende nuk ka të dhëna për gjetjen e autorëve të krimit.
Banesa e prindërve të gazetares u qëllua me dhjetë plumba kur brenda saj ndodheshin dy fëmijët e Klodiana Lalës dhe prindërit e saj. Vetë gazetarja ka shprehur dyshimet se ngjarja ka lidhje me profesionin e saj pasi ajo dhe familja nuk kanë konflikte personale, por gjithsesi dhe kjo pistë është në hetim nga prokuroria.
Policia u lajmerua gati 4 ore pas sulmit
Ndërkohë rreth orë 15:00 policia dhe prokuroria e Tiranës dolën me një deklaratë të përbashkët ku saktësohet se sulmi ka ndodhur rreth orës 03:00 ndërsa policia mësoi ngjarjen gati 4 orë më vonë.
“Në datë 30 gusht 2018, rreth orës 06.40 minuta, Policia e Tiranës u njoftua se në rrugën “Shkëndija”, fshati Bruk, Tiranë persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së shtetasit Arif Lala, i ati i gazetares Klodiana Lala, informojmë se: Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit. Për pasojë është dëmtuar fasada ballore dhe dera hyrëse e banesës. Në momentin e sulmit, në banesë ishin prindërit e gazetares, vëllai, dy fëmijët e gazetares dhe dy miq të afërm të familjes. Personat brenda banesës nuk kanë pësuar dëmtime.”


