Prokuroria e Tiranës, nëpërmjet një reagimi ka dhënë pak detaje që lidhen me hetimin për rastet e sulmeve të njëpasnjëshme që iu kanë ndodhur sisteme tona qeveritare, por është përpjekur të shpjegojë edhe nevojën për lëshimin e urdhrit për t’u ndaluar të gjitha publikimet e materialeve që nxjerr “Homeland Justice”.
Publikimi i këmbimeve elektronike të ish-kryepolicit të vendit me disa struktura bëri që vendi dhe opinioni publik të tronditeshin, sidomos me një material sekret nga i cili tregohej se ekzistonin të dhëna për një eliminim fizik të kreut të qeverisë së Kosovës. Ata, bashkë me këto të dhëna, publikuan edhe emrin e një personi që mendohet se do të ishte në rolin e ekzekutorit, e jo vetëm të z. Kurti, por edhe të dy emrave mjaft të rëndësishëm në prapaskenën e politikës së Kosovës. Po ashtu, në një vazhdë të shpejtë dhe të gjerë email-esh dhe kontaktesh ata publikuan deri edhe sherre mes drejtuesve dhe vartësve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilat i referoheshin kryepolicit Gledis Nano për të dhënë një zgjidhje, sherre që në fakt janë të shumta në çdo sektor të kësaj organizate. Përveç sulmit të paprecedentë në faqet e sistemeve të sigurisë kufitare të Policisë, hakërruesit hynë edhe në llogaritë personale të vetë Nanos duke nxjerrë në pah në vazhdim një sërë emrash dhe personash, shqiptar dhe të huaj të cilët shërbejnë si agjentë kryesisht në Sektorin e Antiterrorit dhe atë të krimeve të rënda. Prokuroria pretendon se po punon fort për të ruajtur mosdaljen e materialeve sekrete, por ata ditën e djeshme kanë vijuar me komunikimet e Nanos me partnerët e huaj deri atje sa kanë publikuar edhe kërkesën për ndihmë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për gjetjen e vendndodhjes së ish-kryeprokurorit të vendit, Adriatik Llalla.
REAGIMI PËR NDALIMIN E PUBLIKIMIT
Në deklaratën e saj të ditës së djeshme, organi i akuzës thotë se të dhënat e publikuara së fundmi, për sa i përket informacioneve dhe të dhënave policore të klasifikuara apo informacioneve dhe të dhënave të marra nga partnerët të klasifikuara, informacione mbi procedimet penale etj., janë konsideruar nga Prokuroria si prova që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me veprat penale në hetim dhe si veprime që cenojnë rëndë veprimtarinë e institucioneve shtetërore si dhe sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet ndërmjet shtetasve. Postimi i këtyre të dhënave sekrete, sipas saj, jo vetëm cenon privatësinë e çdo individi dhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, por janë edhe sekret hetimor në kuadër të hetimeve të ndërmarra nga organi procedues. Për këtë arsye, për shkak të rëndësisë, qëllimeve dhe autorëve në shërbim të të cilëve po ndodh ky veprim kriminal, për shkak të detyrimit ligjor për të mbrojtur të dhënat e çdo individi si edhe Sigurinë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe si rrjedhojë për shkak të urgjencës dhe domosdoshmërisë për marrjen e një vendimi të menjëhershëm nga ana e Prokurorit, mbështetur në nenet 103, 208 e vijues, 304 të Kodit të Procedurave Penale nga ana e Prokurorisë u vendos sekuestrimi i të dhënave të publikuara dhe atyre që do të publikohen në vijim nga faqet objekt hetimi i procedimit penal në fjalë dhe në vijim bllokimin e publikimit të çdo lloj informacioni nga mediat e shkruara, audio-vizive, mediat online. Më tej, sqarohet se vendimi i Prokurorisë është ndërmarrë në ushtrim të kompetencave të saj, duke synuar gjithashtu edhe pengimin e ardhjes së pasojave të mëtejshme të këtij veprimi kriminal. “Sqarojmë së një vendim i tillë, nuk ka për qëllim pengimin e veprimtarisë së Medias por është kryer në kuadër të një procedimi penal ku publikimi apo shumëfishimi mediatik i informacioneve të klasifikuara dhe sensitive (që është në vetvete qëllimi kriminal i këtij sulmi), informacione këto të vjedhura, do të cenonte rëndë si ecurinë e hetimeve, ashtu dhe sigurinë e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”.
HETIMET
Prokuroria e Tiranës informon në lidhje me hetimet e ndërmarra ndaj sulmit në sistemet kompjuterike të institucioneve tona. Prokuroria deklaron se në sistemet ku ka ndodhur sulmi është evidentuar një profil në dy rrjete sociale të ndryshme me qendër jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, që i përkiste autoreve dhe bashkëpunëtorëve të këtij sulmi. Dy ditë më parë, mësohet se me vendim të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, është urdhëruar sekuestrimi i këtyre llogarive në dy rrjete sociale të ndryshme dhe si pasojë e këtij vendimi, kompanitë përkatëse kanë reaguar duke mbyllur aksesin në këto llogari. Po ashtu janë thirrur në ndihmë edhe partnerë të shumtë ndërkombëtar për tu bashkëngjitur punës së Njësisë C që merret me hetimet e këtyre sulmeve. Mësohet se të dhënat e para të këtij sulmi janë shënuar që në qershor, por dyshohet se nuk iu është dhënë rëndësia e duhur që atëherë, për të ardhur më pas tek sulmi i 17 korrikut dhe për të vijuar deri te sulmet e ditëve të fundit që në shënjestër patën sistemet e sigurisë kufitare, kryesisht përvetësimin e të gjitha të dhënave të sistemit TIMS.


