Suedia të mërkurën i ka mbyllur hetimet për rastin e pazgjidhur rreth vrasjes së ish-kryeministrit Olof Palme, i cili ishte qëlluar për vdekje në vitin 1986 në qendër të Stokholmit.
Prokurori kryesor i këtij rasti, Kristen Petersson, tha se rasti po mbyllet për shkak se i dyshuari kryesor për kryerjen e veprës, Stig Engstrom, ka vdekur në vitin 2000, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.
Suedia mbyll hetimet për vrasjen e ish-kryeministrit Palme më 1986, i dyshuari kryesor ka vdekur
Palme ishte qëlluar me armë më 28 shkurt 1986 pasi kishte dalë nga një kinema së bashku me bashkëshorten në kryeqytetin suedez.
Prokurori Petersson tha se i dyshuari kishte antipati të fuqishme kundër ish-kryeministrit Palme dhe politikave të tij. Ai ishte një ndër personat e parë që ishte vërejtur në skenën e krimit dhe shpejt ishte cilësuar si i dyshuar.
“Pasi ka vdekur, unë nuk mund ta ndjek atë penalisht”, tha prokurori i rastit gjatë një konference për gazetarë.
Disa dëshmitarë dhanë përshkrime të vrasësit që kishte ikur nga vendi i ngjarjes dhe ato përshkrime përputheshin me pamjen e të dyshuarit. Sidoqoftë, disa të tjerë kanë thënë se ai as nuk ishte në vendin e ngjarjes.
Palme kishte kërkuar që të jetonte jetë të zakonshme dhe shpesh dilte pa asnjë truprojë. Natën e vrasjes, ai nuk kishte mbrojtje të afërt.