Europa Perëndimore është përfshirë nga një stuhi e rëndë, që ka shkaktuar situatë katastrofike në shumë vende, përfshirë edhe Gjermaninë ku kanë humbur jetën më shumë se 90 persona, por fatmirësisht vendi ynë do të preket vetëm shumë pak nga këto kushte atmosferike.
Në lidhje me Skype për “Report Tv”, sinoptikanja Lajda Porja tha se territori ynë do të preket shumë pak nga kjo stuhi, por paralajmëron për kujdes pushuesit në bregdet për shkak se do të ketë prezencë të erës së fortë.
Ajo u shpreh se dita e shtunë dhe e diela do të sjellin një përkeqësim të kushteve të motit, që do të shoqërohet me rrebeshe në zonat veriore, por thekson se zonat bregdetare nuk do të preken.
Temperaturat do të pësojnë një ulje, në krahasim me ato të ditëve të fundit, ku maksimumi pritet të shkojë deri në 34 gradë Celsius.
“Territori shqiptar preket shumë pak nga kjo stuhi, parashikohet që gjatë gjithë ditës së sotme dhe në fundjavë të ketë erë që do arrijë deri në mbi 60-65 km në orë në det të hapur duke bërë që deti të jetë i trazuar, ndaj pushuesit duhet ët kenë një kujdes të veçantë. Sot pritet ketë rrebeshe të izoluar anë zonat veriore ndërsa e shtuna sjellë rrebeshe në zonat malore, në zona e ulëta do të ketë vranësira dhe bregdeti me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Ditën e diel rrebeshet do të jenë të pranishëm në një pjesë të mirë të territorit, do të shpëtojë vetëm vija bregdetare. Megjithatë temperaturat do të jenë ideale për pushuesit, bregdeti i jugut nuk parashikohet të ketë reshje dhe shumë pak Adriatiku, temperaturat sot dhe nesër pritet të shkojnë në maksimumi 34 gradë. Sa i përket stuhisë, do të jetë në periferi dhe shumë pak do të preket Ballkani Perëndimor”, tha sinoptikanja.


