Prej ditës së djeshme stuhia “Ciaran” ka prekur jo vetëm Evropën por edhe Shqipërinë, ku ka shkaktuar përmbytje të mëdha.
E njëjta situatë me stuhi ere të shoqëruar me rrebeshe shiu dhe shtrëngata pritet të vijojë edhe gjatë ditës së sotme (4 nëntor) sipas njoftimit të dhënë nga Shërbimi Meterologjik Ushtarak (SHMU) për vendin tonë.
“Për fundjavën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të paqëndrueshme atmosferike si pasojë e periferisë së një stuhie të fortë që ka përfshirë jo vetëm vendin tonë por edhe një pjesë të madhe të europës. Në këtë mënyrë për ditën e shtunë nga orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës moti parashikohet me vranësira të dendura e reshje shiu të vazhdueshme dhe intensitet të ulët dhe kryesisht mesatar në formën e shtrëngatave”, ka njoftuar dje SHMU.
Por çfarë ka lënë pas kjo stuhi?
Ditën e djeshme rreshjet dhe era e fortë përmbytën disa rrugë në Tiranë, duke krijuar dhe një bllokim të lëvizjes së makinave me orë. Situata më e vështirë ishte pranë ‘Pallatit me Shigjeta, ku lumi Lana doli nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të Unazës. U njoftua dhe për përmbytje të disa bizneseve dhe magazinave dhe banesave në katet e para të ndërtesave. Po kështu si pasojë e shiut dhe erës së fortë në afërsi të Pallatit me Shigjeta u shkëput një objekt, i cili dëmtoi në kokë një 37-vjeçar, punonjës i Komisariatit të Policisë Rrugore. Në afërsi të zonës së Kinostudios tek Rruga Ura, një pemë u thye duke bllokuar qarkullimin. Bashkia njoftoi se po punonte për zhbllokimin e dhjetra segmenteve nga pemet e rëna prej stuhisë së fortë

Në qarkun e Dibrës, vijon të ketë probleme në kalimin e Rrugës së Arbrit. Ai tha se niveli i asfaltit është ulur, ndërsa raportohet për një banesë të dëmtuar nga reshjet.

Në fshatin “Fshat”, ka pasur çarje të asfalti, ndërsa shtabi i emergjencave është në gatishmëri të plotë.
Moti i keq ka goditur edhe Gjirokastrën. Problematika kryesisht ka pasur ne Përmet, ku u bllokuan 23 turistë në Kanionin e Langaricës, por u evakuuan disa orë më pas pa lëndime.

Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa gjatë mbrëmjes nga era e fortë në Pedonale, është shkëputur një pjesë suvaje, dhe ka rënë mbi tendën e një lokali. Si pasojë ka mbetur i plagosur lehtë një person në shpatull.Për shkak të stuhisë së orëve të fundit në juglindje të vendit shumë fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.
Në qarkun e Kukësit ka pasur rrëshqitje dherash, në akset nacionale. Akset problematike mbeten Kukës-Shishtavec, Kukës- Peshkopi, Bajram Curri- Qafë Mali dhe Qafë Mali- Kukës
Sakaq, qarqet e tjera deri më tani paraqiten në normalitet
Alpenews.al





