Sekretari për marredheniet me median në PS, Alfred Peza ka ironizuar me anë të një statusi në “Facebook” heshtjen e opozitës pas publikimit të dosjes së 675 mijë USD të gazetës gjermane “Bild”.
Ndër të tjera, Peza rendit edhe disa prej deklaratave të bëra nga opozita si dhe presidenti mbi prestigjin e “Bild”.
Postimi i plotë:
“Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze BILD kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj”.
Kush e ka thënë këtë?
Gaboheni nëse mendoni se e ka shkruar kryeministri Edi Rama, pasi “Bild” publikoi shkrimin për 675 mijë USD e lobimit të Lulzim Bashës, me paratë ruse.
Këtë e ka shkruar me dorën e vet, as më pak e as më shumë, vetë Kryetari i PD, Lulzim Basha. Por, për një çështje tjetër. E sqarova se mos mendoni që ka nisur të reflektojë e të bëjë më në fund kthesë. Jo. Aq që bëhet fjalë!
As dje, as sot, as nesër e as në vijim Jo vetëm Lulzim Basha nuk ka për të folur për shkrimin kundër tij në “Bild”, por as Sali Berisha. Nëse mund ta keni harruar, jua rikujtoj që e quante atëherë edhe ai, “e famshmja gjermane “Bild”.
Ju siguroj që këtë nuk do ta bëjë as Presidenti Ilir Meta që dikur u shpreh se “kishte ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim të thellë publikimet e gazetës së njohur gjermane “Bild”.
Ky është shembulli më përfaqësues për të kuptuar standardin e dyfishtë që liderët e opozitës sonë mbajnë përballë të njëjtës media. Kur “Bild” shkruan kundër qeverisë, ajo është media “më e madhe”, “më prestigjoze”, “më e famshme”, etj, etj.
Kur po e njëjta, shkruan për skandalet e tyre, të gjithë bëhen memecë.
Sot ka nisur një javë e re politike dhe një vit i ri parlamentar. Uroj e shpresoj që këto mesazhe të lexohen siç duhet.


