Ka një tendencë interesante që sa vjen dhe thellohet, e cila po hedh rrënjë, nëpër emisionet e pafund të debateve televizive të mbrëmjes në Shqipëri. Për shkak të konkurencës dhe fokusimit gjithnjë e më të shpesht të drejtuesve të këtyre emisioneve, drejt temave që lidhen me çështjet e krimit, drogës, raporteve të tyre me politikën, hetimet apo përfoljes së personazheve VIP të botës shqiptare, ka lindur mesa duket nevoja për të ftuar profesionistë që do të mund t’i trajtojnë këto çështje sa më me kopetencë, duke zotëruar një informacion paksa specifik.
Fati u ka buzëqeshur në këtë mënyrë, një grupi jo të vogël gocash dhe çunash, të cilët ditën bëjnë reporterin e terrenit dhe natën, analistin e emisioneve të rëndësishme televizive. Shkak për këtë me siguri është bërë edhe vakumi që ka media shqiptare për analistë të mirëfilltë të kësaj fushe, personalitete, autorë librash për tema të kësaj natyre, të cilët do të mund të plotësonin natyrshëm nevojat dhe kërkesat.
Nëse pothuajse për të gjitha çështjet dhe temat e tjera, të ftuarit që i shtjellojnë janë opinionistë, komentatorë, ekspertë, sociologë, psikologë, pedagogë, deputetë, ministra e ish ministra, për çështjet e kronikave policore, të prokurorisë e drejtësisë në tërësi, ftohen gazetarët e terrenit. Fati i tyre në këtë rast lidhet edhe me një pengesë ligjore që kanë punonjësit dhe ekspertët e fushës, të cilëve u lejohet që të flasin vetëm me anë të vendimeve që ata nxjerrin zyrtarisht. Ndërkohë që emisionet televizive, kanë nevoja shpeshherë emergjente për trajtimin e ngjarjeve, sapo ato ndodhin.
Kjo ka bërë që të krijohet “klasë” e re interesante gazetarësh, të cilët gdhihen duke vrapuar që të realizojnë nevojat bazë të një redaksive, siç është ajo e grumbullimit të lajmeve në terren. Ndërsa në mbrëmjë, ngrysen si opinionbërës dhe janë tashmë edhe për meritë të tyre, më të famshëm se shefat e redaksive që përfaqësojnë. Po t’i pyesësh të gjithë për njëri- tjetrit, sigurisht që të tregojnë shumë detaje dhe episode, që mund të vënë në dyshim pak apo shumë nga gjërat që deklarohen nëpër ekrane. Disa edhe mund të jenë të vërteta, e disa të tjera, ndoshta thuhen për shkak të “xhelozisë” normale profesionale brenda llojit.
Po kush janë këta reporterë që i kemi parë në ekranet televizive të mbremjëve dhe ku punojnë ata sot, më poshtë fotot dhe lista e tyre:
ARTAN HOXHA, më i vjetri e më i njohuri ndër të gjithë. Të krijon idenë se ndodhet kudo dhe di gjithçka. Pas një eksperience të gjatë me emisionin e tij “Xhungës” në News 24, tani drejton “Java” në TVSH.
KLODIANA LALA, një nga reporteret më jetëgjata të terrenit, punon pranë televizionit informativ “News 24”. Armën e saj më të fortë duket se ka informacionet kofidenciale nga Prokuroria e Përgjithshme.
ANDUENA LLABANI, gazetare e kronikës pranë departamentit të informacionit në RTSH. Ka mbuluar çështjet e kronikës fillimisht nëpër gazeta. Citohet nga portalet për thënie rreth personazheve VIP.
BASIR ÇOLLAKU, një ish reporter i kronikës nëpër gazetat e përditëshme. Kur PD ishte në pushtet i angazhuar në Ministrinë e Arsimit për marrëdhëniet me mediat. Ka realizuar intervista të bujshme.
FERDINAND DERVISHI, ish gazetar i kronikës i revistës “Klan”, aktualisht pranë televizionit “ABC News” ku realizon një emision Dossier. Autor i librit “Pse u vra Azem Hajdari”. Ka përvojë të gjatë për kronikën.
FLAMUR VEZAJ, një ndër reporterët e kronikës së zezë që gjithashtu e ka kaluar jetën nëpër redaksitë e gazetave e më pas në televizionin “ABC News”. Mbetet sërisht aktiv, megjithëse emigrant në SHBA.
SPARTAK KOKA, ka patur një periudhë shumë aktive pak kohë më parë, edhe nëpër ekrane, por tashmë pothuajse i tërhequr plotësisht. Aktualisht punon si gazetar në websiten e Televizionit Kombëtar Klan.
DASHAMIR BIÇAKU, një ndër reporterët më të spikatur të kronikës, i cili gjithashtu punon për lajmet e një TV si “Klan” duke bërë më parë startin dhe stazhin e gjatë të terrenit nëpër gazetat e përditshme.
Kësaj liste mund ti shtohen edhe të tjerë si Anila Hoxha, një ndër reporteret më të mira të kronikës në terren e Top Channel, por kontrata e punës me sa duket e pengon të jetë aktive nëpër ekrane. Sokol Bregu gjithashtu i Top Channel, por prej kohësh jo shumë aktiv. Fatos Mahmutaj dikur gazetar i ABC News i plagosur më 21 janar në krye të detyrës, aktualisht emigrant politik në Belgjikë. Xhevahir Zhabina pas ksperiencës në Ora News tashmë bën reporterin në TV Klan. Jul Kasapi pas TV Klan, mbulon kronikën në “Vizion+”. Armand Bajrami që ka zëvendësuar Flamur Vezajn në ABC News dhe Fabiola Hoxha e cila nga reportere kronike, aktualisht është spikere lajmesh në ABC News.
PERGATITI: Alpenews.al