Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë vetëm për draftin e Partisë Demokratike për vettingun në politikë. Opozita do të jetë e pranishme në Kuvend, ndërsa shumica pritet që të rrëzojë draftin. Amendamentet e PD u dorëzuan në Kuvend në datë 7 shtator, ndërsa shumica deklaroi asokohe se nëse Komisioni i Venecias do të jepte ‘OK’, nisma do të konsiderohej. Por Komisioni i Venecias në datë 15 dhjetor miratoi opinionin përfundimtar sa i takon interpretimit që kërkoi Kuvendi i Shqipërisë nëse propozimi i opozitës për Vettingun në politikë ishte apo jo në përputhje me parimet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me parimet kushtetuese.
Venecia deklaroi se varianti i propozuar nga PD dhe LSI ka probleme të konsiderueshme sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut si dhe ky draft është problematik pasi mund të përdoret në mënyrë arbitrare dhe të qëllimshme politike dhe mbi të gjitha nuk është e qartë se kush është autoriteti që do të bëjë kontrollin e politikanëve. Pretendimi për ndryshime kushtetuese ka rënë me këtë draft-opinion të Komisionit të Venecias. Për PS-në ky është një argument i mjaftueshëm për të rrëzuar Vettingun në politikë. Kryeministri Rama ka thënë se nuk është nevoja për ndryshime Kushtetuese përsa i takon Vettingut në politikë, pasi drejtësia e re e ka parashikuar këtë përmes dy institucioneve të reja që pritet të krijohen, SPAK dhe BKH.


