Shqipëria, feston sot 80 vjetorin e çlimirit nga forcat fashiste dhe naziste, kujtohen çlirimtarët e vendit pasi ata sakrifikuan jetën për lirinë e Shqipërisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Politika shqiptare vijon të festojë e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.
Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.
Kryeministri Edi Rama zgjodhi sot të përcjellë urimin për 80 vjetorin me foton e një vogëlushi të lindur dje në maternitetin “Koço Gliozheni”
Pak histori
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë.
Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.


