Sot Policia e Shtetit shënon 108-vjetorin e krijimit të saj. Në disa qyete të vendit, Drejtoritë Vendore të Policisë kanë zhvilluar ceremoni duke përkujtuar këtë ditë që është e rëndësishme për ta. Policia shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida e transformime si në aspektin strukturor e organizativ, ashtu dhe në atë legjislativ.
Policia e shtetit është institucioni më i rëndësishëm i goditjes së paligjshmërisë. Në ambjentet e policisë së Tiranës u zhvillua ceremonia e përkujtimit të 108-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Fillimisht, efektivët e policisë të pranishëm ngritën flamurin ku më pas u zhvendosën në ambjentet e brendshme të drejtorisë ku disa përfaqësues të Policisë mbajtën dhe një fjalim.
Ndërkohë dhe në ambientet e jashtme të Akademisë së Policisë, me një numër të kufizuar pjesëmarrësish për shkak të masave kufizuese për parandalimin përhapjes së COVID-19, është zhvilluar ceremonia me rastin e 108-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj, drejtues të lartë të Policisë dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë.
Ceremoni e njëjtë është zhvilluar dhe në qytete të tjera të vendit në Lushnje, Elbasan, Dibër dhe Berat. Efektivë të policisë, përfaqësues të pushtetit vendor kanë qenë të pranishëm në ceremonitë përkatëse ku gjithashtu mbajtën fjalime mbi ndryshimin e Policisë së Shtetit që është bërë ndër vite si dhe arritjet e saj.