Në Parlamentin Europian u zhvillua një tavolinë e rrumbullakët e nivelit të lartë për procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.
E pranishme në këtë tryezë, deputetja e Partisë Socialiste, Senida Mesi falënderoi eurodeputetët për të gjithë ndihmën që vendet e tyre i dhanë Shqipërisë pas tërmetit të 26 nëntorit.
“Qeveria shqiptare i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve për ndihmë financiare dhe mbështetje me ekspertë në vlerësimin e dëmeve. Në fjalën time, theksova se çdo dhurim që mund të bëni, çdo donacion që vendet tuaja mund të bëjnë dhe çdo mbledhje fondesh për më shumë para për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit mund të ndihmojë”, tha Mesi.
Për procesin e integrimit në BE, ajo tha se “ne jemi të zhgënjyer për vendimin e fundit politik të disa vendeve anëtare për të mos hapur bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.
“Ne vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Europian për krijimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të Republikës së Shqipërisë. Komisioni Europian për 2 vite radhazi rekomandoi hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Përfundimet e Këshillit të Bashkimit Europian, të mbështetur nga Këshilli Europian në Qershor 2018, i cili përcakton fundin e vitit 2019 si periudhën e zyrtarizimit të këtyre bisedimeve”, tha Mesi.
Ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë reformat e ndërmarra në kuadrin e procesit të integrimit europian. Reformat që filluam janë të PAKTHYESHME dhe janë bërë për forcimin e Shtetit Shqiptar dhe në të mirë të popullit shqiptar.
Ajo i ftoi përsëri vendet anëtare të Bashkimit Europian, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Europian për të zyrtarizuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut përpara Samitit të Zagrebit të Maj 2020.