Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka zhvilluar një takim me drejtorët e përgjithshëm të bankave tregtare dhe përfaqësues të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe iu ka kërkuar që t’ju vijnë në ndihmë të gjithë klientëve që janë të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit e që kanë blerë banesat me kredi.
Gent Sejko ka thënë se tashmë bankat duhet të shikojnë portofolet e kredive dhe të mos lejojnë që kjo situatë të shkaktojë ngadalësimin e ritmit të kreditimit të ekonomisë.
Po ashtu bankat kanë deklaruar se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës, për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë. Pra nëse një person duhet të paguajë 5 milionë lekë në 10 vite, banka mund ta zgjasë afatin deri në 20 vite pa marrë përqindje interesi të shtuar.
Po ashtu si guvernatori Sejko ashtu edhe përfaqësuesit e bankave në shenjë solidariteti, po vlerësohen individualisht mundësitë për të kontribuar me donacione të formave të ndryshme.