Kompania e karburanteve Gulf Oil e njohur ligjërisht si Sun Petroleum Albania është vënë në sekuestro edhe për llogari të tatimeve. Jo vetëm qytetarët por edhe drejtoritë rajonale tatimore të vëndit janë mashtruar nga kjo kompani, e cila ka shuma të konsiderueshme të papaguara në taksa e tatime.
Gulf rezulton se është krijuar më 10 shtator 2013 dhe fillimisht nje ndër administratorët e kësaj kompanie ka qenë dhe Ibrahim Aktoz, shtetasi turk i proceduar edhe me parë nga drejtësia shqiptare për mashtrim.
Përveç faktit se Aktozi ka qënë i përfshirë në dy skema mashtrimi, me Alpet-in edhe së fundmi me Gulf-in, duket se ndërkohë ka qënë edhe konsull nderi i Shqipërisë në Turqi.
Në 2015 shkruhej: Në skandalin e karburanteve, ku biznesmenët mashtruan shtetin, duke i marrë rreth 5 milionë dollarë nga mospagimi i taksave dhe mosdeklarimi i të ardhurave, është përfshirë edhe konsulli shqiptar i nderit në Turqi.
Konsulli i nderit
Aktoz e ka lënë Shqipërinë prej 3 muajsh, kohë në të cilën është larguar për në Turqi. Vetë ambasada shqiptare në Turqi konfirmoi për mediat se Aktoz është konsull nderi i Shqipërisë në Turqi prej vitit 2011.
Ibrahim Aktoz ka qenë drejtori i përgjithshëm i kompanisë së karburanteve “Alpet”, e cila është mbyllur. Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës thotë se Aktoz në bashkëpunim me të tjerët krijuan disa kompani të tjera, ku përfshihen “Balkan Petroleum Albania” dhe “Balkan Petroleum International”, për të bërë shitblerje fiktive të aseteve.
Të njëjtën skemë, këta persona e përdorën dhe me kompaninë e krijuar rishtazi “Fullpet”, ku si administrator rezulton Ekrem Ozmetel. Ndërkaq, në vitin 2013 Ibrahim Aktoz i ka shitur Ozmetelit 20 për qind të aksioneve.


