Kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp “Ekonomia në Fokus” u pyet nga gazetarët lidhur me kontratën koncesionare me aeroportin.
Gazetarja tha se kreu i PD Lulzim Basha ishte shprehur se do të anulonte zgjatjen e kontratës pasi sipas tij kishte shkelje ligji.
Ndërkohë Rama iu përgjigj me ironi me një histori të kaluar me ish-kryeministrin Fatos Nano.
“Më kujtohet njëherë, kemi qenë në një ngushëllim me Fatos Nanon, ishte një person atje që i thoshte: Shiko, s’keni gjë në vijë kështu, ju duhet t’i bini shkurt. Nuk ka pse marrin gjithë katunarët toka tha, merrini gjithë tokat tha, kthejani pronarëve të vjetër, dhe kështu zgjidhet puna.
Dhe Fatosi i tha: Kjo ideja jote është shumë ambicioze po mund ta bëjë vetëm Sabriu që s’ka gjë në dorë. Kështu që edhe Luli të gjitha ato që s’i ka në dorë do t’i bëjë.
Ça nuk e ka në dorë dhe s’ka për ta pas najher në dorë gjithmonë do ta bëjë. Dhe jam i lumtur që aeroporti kaloi nga dora e kinezëve në dorën e shqiptarëve. Dhe do të ketë çmime të mira për shqiptarët, se kishim çmimet më të shtrenjta në Europë. Dhe kam marrë sharje e mallkime, se nuk e dinin që nuk e kisha në dorë unë,” tha Rama.


