po kalon në planin ndërkombëtar sa i takon zgjidhjes apo uljes së palëve në tavolinën e dialogut. Tashmë Gjermania është shteti që është përfshirë plotësisht dhe ka marrë një rol kyç, por duke shkaktuar jo pak përplasje edhe ndasi edhe brenda CDU/CSU partisë qeverisëse së kancelares Angela Merkel, në lidhje me daljen nga situata aspak normale në Shqipëri.
Pas protestës së dhunshme të së dielës së 2 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në orët e para të mëngjesit të sotëm ka udhëtuar drejt Gjermanisë për të zhvilluar takime informale me drejtues të partive të CDU/CSU, pjesë e Partive Popullore Europiane. Lideri i PD-së, sipas burimeve do të qëndrojë dy ditë në Berlin.
Unioni Kristiandemokrat dhe Kristian Social (CDU/CSU), është angazhuar që të zgjidhin krizën politike shqiptare, duke u shprehur të gatshëm për të ndërmjetësuar mes Bashës dhe Ramës, por fillimisht kërkojnë që palët të ulen në tavolinë pa i vendosur kushte njëri-tjetrit.
Por në Berlin nuk do të jetë vetëm kryedemokrati Basha. Gazeta Si ka mësuar se pasnesër presidenti Ilir Meta do të vizitojë Gjermaninë ku do të ketë takime të ndryshme, ku kryetema e bisedimeve do të jetë kriza politike shqiptare. E gjendur jashtë zgjedhjeve lokale, opozita po kërkon një zgjidhje politike, duke kërkuar largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, zgjedhje të parakohshme parlamentare, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore që të garantojë sipas saj, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Basha shkon në Berlin pas një paralajmërimi të fortë të bërë një ditë më parë pas protestës, ku theksoi se tashmë koha e fjalëve ka marrë fund dhe se fatet, sipas tij, në dorë do t’i marrë sovrani.
Gazeta Si ka mësuar gjithashtu se në Berlin do të jenë edhe dy ministra të rëndësishëm të qeverisë Rama. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj janë nisur sot drejt Gjermanisë me një agjendë zyrtare ku parashikohen takime të ndryshme, si një përpjekje për të bindur Berlinin për dhënien e një vendimi pozitiv pas rekomandimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Pjesë e delegacionit qeveritar do të jetë edhe kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla.
Gjermania është një ndër shtetet që ka peshë në vendimin e saj për çeljen ose jo të negociatave, ndërsa nuk mungojnë sinjalet nga Berlini që qëndrimi final mund të mbahet në shtator dhe jo në qershor. Mendohet se ministrat Lleshaj e Gjonaj, si dhe Balla do të lobojnë dhe në Parlamentin gjerman, duke i paraqitur edhe rezultate dhe statistika në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.


