Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 21 vatra zjarri nga të cilat 5 janë ende aktive.
Sipas njoftimit, vatrat e zjarrit janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Vlorë, Rrogozhinë, Tiranë, Kamëz, Dimal, Përmet, Këlcyrë, Gjirokastër, Librazhd, Belsh, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Pogradec e Korçë.
Ministria njofton se në qarkun Dibër mbetet ende aktive vatra në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë ku zjarri ka qenë me intensitet të ulët dhe nuk pati rrezik për tu përhapur në zona të pyllëzuara.
Mësohet se edhe në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, njësia administrative Lurë, bashkia Dibër, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh.
Sipas informacioneve, në qarkun Tiranë ka vijuar puna për fikjen e zjarrit të rënë në fshatin Zambish, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë, në një sipërfaqe me dushqe. Ndërkohë në qarkun Elbasan në vendin e quajtur “Mal Plak”, njësia Administrative Polis, bashkia Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore dhe po vijon operacioni për shuarjen.
Gjithashtu në fshatin Udenisht, njësia administrative Udenisht, bashkia Pogradec, ka një riaktivizim të vatrës së zjarrit të rënë zjarr në një sipërfaqe me pyll pishe dhe shkurre.


