Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino tha për news 24 se virusi vazhdon të qarkullojë mes nesh, dhe me një virulencë të njejtë si ç’ka qenë në fillimet e tij.
Ajo tha se në krahasim me numrin e të infektuarve, numri i vdekjeve mbetet i ulët, dhe se katgoria më vulnerable mbetet ajo mbi 70 vjeç.
“Ne vazhdojmë të kemi një qarkullim të dendur të virusit, kryesisht në Tiranë e Durrës. Virulenca e virusit nuk ka ndryshuar, vazhdon të jetë i njejtë, nuk ka forma më të lehta. Ka pak gjasa që të ndryshojë. Numri i vdekjeve është i ulët, dhe nga ana tjetër po të shohim strukturën e vdekjeve, ato janë mbi 70 vjeç. ISHP ka rritur gamën e testimeve, i bëjmë 500 testime në ditë, por kemi arritur dhe 600-700 në ditë. Rritja e numrit të testimeve kërkon dhe sigurimin e teknologjive të reja. Testimi kryhet për një qëllim. Për të gjetur rastin. Ka shumë raste që nuk shfaqin simptoma”.
Bruko: PD ju akuzon për falsifikim të numrit të testimeve!
Bino: Unë tani jam specialiste, nuk merrem me politikë. Kush dëshiron të bëjë politikë të bëjë. Ne përpiqemi të rrisim numrin e testimeve. Të ketë bashkëpunim mes strukturave private dhe publike.
Bruko: Derisa do të shkojë numri i testimeve?
Bino: Koreja e Jugut bënte 1% të testimeve në muaj, pra diku te 1 mijë në ditë me shifrat e popullsisë sonë. Kaq është numri që pritet të shkojë tek ne.


