Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, njëherësh edhe kandidat për KLP, Shpëtim Kurti, është shkakruar ditën e sotme nga detyra detyra, pasi KPK-ja konstatoi se ai ka fshehur pasurinë dhe ka kontakte të papërshtatshme me persona me rekorde kriminale.
Ai u përball dje me gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në seancën dëgjimore. Hetimi për prokurorin ishte kryer vetëm në kriterin e pasurisë, por me kërkesën e Kurtit, më 4 korrik të 2018-s, KPK-ja ka rihapur hetimin, duke hetuar për pastërtinë e figurës, për të cilën është konstatuar si i papërshtatshëm.
“Hetimi është kryer vetëm në dy kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë dhe pastërtisë së figurës. Theksojmë se, pas disa muajsh hetime, KPK-ja ka mbyllur procesin për prokurorin, vetëm në kriterin e pasurisë. Në korrik, Komisioni e ka hapur sërish hetimin me kërkesë të prokurorit, duke kryer edhe një hetim tjetër për pastërtinë e figurës”, tha relatori.
Në lidhje me kriterin e pastërtisë së figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar një raport me konstatimin se Kurti është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, ndërsa argumenton se ai ka pasur kontakte me një person, i cili ka qenë i proceduar penalisht dhe është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 5 vite burg. “DSIK-u ka konstatuar se subjekti ka pasur kontakte të papërshtatshme, në më shumë se një rast. Dyshohet se ky subjekt ka dyshime se mund të përfshihet në krimin e organizuar. Për këtë, konstatohet papërshtatshmëria e tij.
DSIK-u ka përcjellë një raport tjetër të përditësuar, ku konstatohej se subjekti ka pasur kontakte me persona të proceduar”, tha Hamitaj. Ndërkohë, në lidhje me këtë kriter, Komisioni ka marrë në konsideratë edhe 3 denoncime të mbërritura. Në denoncimin e parë thuhet se prokurori është i korruptuar dhe se është pjesë e një grupi kriminal të trafikut të njerëzve. Në denoncimin e dytë thuhej sërish se prokurori është i korruptuar dhe se ka lidhje me krimin.
Ndërkohë, në denoncimin e 3-të thuhej se ka lidhje me krimin, kryesisht të personit me iniciale H.M. dhe se ka ndihmuar në mbylljen e proceseve ndaj tij. Për të verifikuar këto ankesa, KPK-ja ka marrë dosjet hetimore të grupit, pjesë e të cilit ka qenë edhe shtetasi H.M.. Së pari, Komisioni ka shqyrtuar dosjen numër 8 të vitit 2006, e hetuar fillimisht për rreth një vit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe e kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Gjirokastrës, ku edhe çështja është pushuar përfundimisht.
Në kuadër të hetimeve dhe përgjimeve të bëra grupit, ndër të tjera, tha relatori, ka ekzistuar edhe një mesazh i dërguar nga H.M., te një person tjetër me tekstin: Shpëtim Kurti dhe një numër telefoni. Së dyti, Komisioni ka shqyrtuar edhe një dosje të vitit 2013, e hetuar sërish nga Krimet e Rënda, për t’u kaluar më vonë në Prokurorinë e Tiranës, pasi nuk ishte vërtetuar akuza e “Grupit të strukturuar”.
Në shtator të 2013-ës, Prokuroria e Tiranës ka nisur procedimin penale për shtetasin H.M., ndërsa pas hetimit ky shtetas dhe persona të tjerë janë dërguar në gjykatë. H.M. është dënuar me 5 vite burg, ndërsa nga shqyrtimi i bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është konstatuar se prokurori i çështjes ka kryer hetime të cunguara për dosjen në fjalë.
Ndërkohë, ka kërkuar kthimin e sendeve personale, konkretisht të tre telefonave, si objekte që nuk përkisnin të pandehurit. Relatori Lulzim Hamitaj theksoi se hetimi për këtë dosje është pasiv dhe joefikas, ndërsa shtoi se prokurori i çështjes ka kërkuar dënimin minimal të të pandehurit, me argumentin se ata kishin shfaqur pendesë.
“Rritje bruto me 12 herë”, zbulohet skeda e pasurisë së deklaruar të prokurorit Kurti
Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Shpëtim Kurti është njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kurti do të përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit si pjesë e listës prioritare të vetingut.

Seanca dëgjimore për prokurorin Kurti do të mbahet të orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Trupa gjykuese e KPK-së përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia.
Prokurori Shpëtim Kurti e ka filluar në karrierën në vitin 2002 dhe që nga ajo kohë ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ai më parë ka mbajtur postin e Zv.drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Shpëtim Kurti nga viti 2004 deri në fund të vitit 2017. [Kliko këtu për skedën në format PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë që prokurori Shpëtim Kurti deklaroi një pasuri prej 1.8 milionë lekë në vitin 2004, ndërsa pasuria e tij familjare në fund të vitit 2017 kap një vlerë prej 21 milionë lekë, duke regjistruar një rritje bruto prej 12 herë. Rritja mesatare vjetore e pasurisë familjare të prokurorit Shpëtim Kurti është 1.48 milionë lekë.
Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga likuiditetet cash të deklaruara gjatë viteve, të cilat në vlerë kumulative kapin një shumë prej 9.6 milionë lekë dhe pasuri të paluajtshme në vlerë 8.6 milionë lekë. Gjithashtu prokurori Kurti dhe bashkëshortja Vjona Kurti, zotërojnë lukuiditete bankare me vlerë 1.9 milionë lekë dhe një automjet tip ‘Reno’ me vlerë 837 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese 2004-2017 janë 32.4 milionë lekë. Rreth 66 % e këtyre të ardhurave përbëhen nga paga nga funksioni e prokurorit dhe bashkëshortes. Të ardhurat nga shitblerja e pasurive të paluajtshme përbëjnë 24.5 % të pasurisë familjare ose 7.9 milionë lekë. Bashkëshortja e prokurorit ka deklaruar 2 milionë lekë kursime para martese. Ndërkohë që prokurori deklaron dhe 1.1 milionë lekë të ardhura familjare nga qiraja.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Kontrolli aritmetik/logjik për 13 vitet e deklarimit rezultoi 12 vite pa probleme dhe 1 vit me probleme.
Gjatë analizës u evidentuan disa “flamuj të kuq”, ku përfshihet mosjustifikimi i pasurisë në vitin 2006 në shumën 124,980 lekë, pa llogaritur këtu dhe shpenzimet vjetore për konsum. Pas martesës në vitin 2007, subjekti ka deklaruar gjendje ‘cash’ të sjella nga bashkëshortja në shumën 2 milionë lekë, pa saktësuar burimin e këtyre të ardhurave.
Ndërkohë në vitin 2017, prokurori Kurti deklaron se gjendja ‘cash’ që disponon me datë 31.12.2017 është 300 mijë lekë, por referuar deklarimeve vjetore gjendja ‘cash’ kumulative në fund të periudhës është 9,663,100 lekë.
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017




