Mesfushori I Borussia Dortmund, Marco Reus aktualisht është i dëmtuar dhe nuk pritet të kthehet para janarit 2018, por kjo nuk e bën një lojtar të padëshirueshëm për skuadrat më të mëdha evropiane.
“Sky” njofton se dy klube nga Premier League kanë interes për gjermanin, Arsenal dhe Manchester United. 28-vjeçari gjithmonë është konsideruar një lojtar klasi, i aftë për të caktuar një epokë, nëse nuk do të kishte pasur aq shumë probleme fizike.
Londinezët e kanë ndjekur prej kohësh yllin e Dortmundit, kurse “Djajtë e kuq” vetëm së fundmi. Trajneri Jose Mourinho, siç duket, dëshiron t’i shtojë dinamikën ofensivës së tij dhe Reus është njeriu i duhur për ta bërë këtë.
Lojtari i kombëtares gjermane ka edhe dy vite kontratë në “Signal Iduna Park”. Ky, me siguri, do të jetë shansi i tij i fundit për një kontratë të majme dhe te një kampionat fantastik si ai anglez.