Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka folur pas shqetësimit që ngriti kolegu i tij shqiptar në Spanjë, Kita Sallabanda. Ai u shpreh se fëmijët e infektuar me koronavirus në Spanjë po përkeqësohen për shkak të sindromës Kavasaki, që është shfaqur bashkë me Covid-19.
“Fenomeni i dytë që jemi ndeshur është se kemi 50 fëmijë të shtruar në spital, me sindromin e Kavasakit, shoqëruar me COVID. Sindromi i Kavasakit është një inflamacion i enëve të gjakut dhe që jep një shok tek fëmijët, me probleme kardiake, dhimbje, barku, diarre, të vjella. Nga të dhënat e specialistëve ka rezultuar që këta fëmijë me sindromën e Kavasaskit janë të prekur nga COVID. Kemi 50 fëmijë nën moshën 5 vjeç”, tha Sallabanda dy ditë më para në një raportim me skype nga Spanja.
Pipero ka thënë gjatë emisionit “Opinion” se të dyja viruset e kanë të përbashkët vaskulitetin dhe se Kavasaki mesa duket, në prani të Covid-19 shfaqet më shpejt. “Të dyja sëmundjet në bazë kanë vaskulit. Presupozohet që është një sëmundje autoimune e ekzagjeruar. Të dyja sëmundjet duket që kanë të përbashkët vaskulitetin. Me sa duket një Kavasaki i fshehur, ose i padalë në sipërfaqe në prani të COvid -19, shfaqet më shpejt.
Mund të bëjë paralelizëm për disa raste në diabet të fshehtë, që pasi ranë në kontakt me COVID u shfaq dhe dibeti”, ka thënë Pipero. Si Britania e Madhe dhe Spanja kanë dhënë alarmin se kanë patur rritje të rasteve të rënda tek fëmijët poshtë 5 vjeç.


