Mjekët në të gjithë botën kanë raportuar më shumë raste të një sindrome të rrallë, por potencialisht vdekjeprurëse inflamatore te fëmijët, e cila duket se është e lidhur me infeksione të koronavirusit.
Janë rreth 100 raste të sëmundjes së pazakontë të shfaqura në të paktën gjashtë vende të botës, me mjekë në Britani, SHBA, Francë, Itali, Spanjë dhe Zvicër, që kanë raportuar se tani po hetojnë mbi këtë situatë.
Rastet e para dolën në dritë këtë javë kur kujdesi kombëtar shëndetësor britanik lëshoi një alarm për pediatrinë, për disa fëmijë të pranuar në njësi të kujdesit intensiv me një përzierje të shokimit toksik dhe një gjendje të njohur si sëmundja Kawasaki, një sëmundje inflamatore që prek enën e gjakut, zemrën dhe organet e tjera.
Deri më tani 19 fëmijë janë prekur në Mbretërinë e Bashkuar dhe asnjë nuk ka vdekur.
Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, tha të mërkurën se vendi kishte më shumë se një duzinë fëmijë me inflamacion rreth zemrës dhe ndërsa nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar një lidhje me koronavirusin, ai tha se rastet po merreshin shumë seriozisht.
Veran tha se kishte marrë një njoftim nga Parisi në lidhje me rreth 15 fëmijë, duke shtuar se raste të tjera ishin raportuar në Spanjë, Itali dhe Zvicër.
Ai i renditi simptomat si ethe, probleme të tretjes dhe inflamacion vaskular. Të paktën tre fëmijë në SHBA të moshës gjashtë muajsh deri në tetë vjeç po trajtohen për një gjendje të ngjashme.
Mark Gorelik, një specialist që trajton pacientët në Qendrën Mjekësore Universitare “Columbia” në Nju Jork, tha se të gjithë kishin ethe dhe inflamacion të zemrës dhe zorrëve.
“Tani për tani, ne jemi në fillim të përpjekjes për të kuptuar se çfarë përfaqëson kjo”, tha ai për “Reuters”. Gorelik beson se rastet nuk janë sëmundje Kawasaki, por një gjendje e ngjashme, një agjent infektiv që shkakton një përgjigje imune.


