Për shumicën e familjeve shqiptare, përdorimi i pajisjeve shtëpiake me eficencë energjie duket më se e kushtueshme. Por shumë pak janë të informuar mbi përfitimet që mund të marrin në afatgjatë prej tyre sa i përket reduktimit të shpenzimeve familjare për konsum energjie, pa harruar dhe ndikimin në mjedis.
GIZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar) dhe Banka Gjermane KFW iu përgjigjën për dy ditë me radhë interesimit të qytetarëve se si të plotësojnë nevojat bazike, nga ndriçimi deri tek ngrohja, duke përdorur sa më pak energji. Në një stendë të ngritur si pjesë e aktiviteteve të Tetorit Gjerman, nxënës të shkollës së mesme “Sami Frashëri” zhvilluan quize për të testuar njohuritë e qytetarëve në këtë fushë dhe ofruan në mënyrë simbolike për fituesit llamba që kursejnë energji.
Paraprakisht, nxënësit kryen një analizë se sa energji elektrike harxhon mesatarisht një familje qytetare në Tiranë me 3-4 persona.
Në grafikun dhe tabelën e mëposhtme jepen të dhënat e studimit:
Mesatarisht gjatë vitit 2016, një familje ka harxhuar 5.700 Këh energji elektrike, ose ka paguar një vlerë financiare prej 65.000 lekësh. Konsumi është i ndryshëm në periudha të ndryshme të vitit dhe ndryshon mesatarisht deri në dy herë në konsumin mujor. Konsumi më i lartë është në muajt janar, shkurt dhe dhjetor (për shkak të ngrohjes) dhe më i ulët në muajt e ngrohtë të vitit.
Në shumë familje të tjera do të ishte i lartë konsumi i muajve korrik–gusht, për shkak të përdorimit të kondicionerëve për ftohje. Por në rastin e familjeve të nxënësve nuk ka rezultuar i tillë, për shkak të pushimeve të gjata dhe kalimit të një periudhe në shtëpi në bregdet, shkruan Monitor.
Analiza ka vijuar me matjen e harxhimit të konsumit të pajisjeve të veçanta elektroshtëpiake, për të parë mundësitë e kursimit. Kjo është realizuar duke vendosur në prizë pajisje matëse individuale, shkruan Monitor. Konsumatori më i madh dhe gjithëvjetor i energjisë vjen nga ngrohësi elektrik i ujit (bolier), me një konsum mesatar mujor prej rreth 200 Këh në muaj ose 2400 Këh në vit (më shumë se 40% e konsumit të përgjithshëm mesatar të energjisë elektrike në familje në vit).
Tre pajisje të tjera të rëndësishme që konsumojnë energji kanë rezultuar: Soba elektrike, lavatriçja dhe frigoriferi, (midis 38-40 Këh në muaj secila) me një konsum të përbashkët prej më shumë se 100 Këh në muaj ose 1200 Këh në vit (pra rreth 20% të energjisë totale vjetore në familje).
Pjesa tjetër e energjisë që konsumohet gjatë gjithë muajve të vitit i përket ndriçimit, televizorit dhe telekomunikacionit dhe pajisjeve të tjera elektro-shtëpiake. Ndërkohë në 4-5 muaj shtohen kostot për ngrohje dhe ftohje, që në shtëpitë në Tiranë kryesisht realizohet me energji elektrike.
Për të ulur konsumin e energjisë, duhet optimizuar përdorimi i pajisjeve.
alpenews.al