Albert Veliu nga Vlora, është personi i cili deri më tani është njohur si Bashkëpunëtori X.
Partia Demokratike ka publikuar videon e tij, i cili dëshmon se nuk është ai, i cili ka përgjuar bisedën me Agron Xhafajn.
Ndonëse e pranon se është ai që ka biseduar me Xhafajn.
“Zëri është i Agronit, çoje ku të duash”, është shprehur Veliu, teksa shton se audion e ka dëgjuar pasi ia kanë treguar të tjerët.
“Çne emri im, ku dihet që jam unë i infiltruar nga shoku Agron. Jam unë që e kam bërë këtë bisedë, janë të gjitha reale. Po se ku është përgjuar zotëria unë nuk di gjë. Unë jam një hallexhi. Ato i di ai që merret me shtetin”, është shprehur Veliu.
Jo më larg se dy ditë më vonë del dhe gazetari që ka realizuar “investigimin”, i cili thotë se është kryer nga Veliu pasi ky i kishte vendosur një përgjues në trup.
Jetmir Olldashi sot nëpërmjet një video-konference nga selia e PD tha:
“Njoftova emisionin dhe televizionin në të cilin punoja dhe shkova në Vlorë me Albert Veliun.
Gjatë këtij udhëtimi shkuam në lokalin e Agron Xhafajt.
Alberti pyeti disa herë stafin e lokalit për të, çka më la të kuptoja se kishte njohje të vjetër, ishte i afërt dhe i njohur për njerëzit aty në lokal!
Agron Xhafaj nuk ishte në lokal në ato momente.
Pas kësaj, kur u larguam nga lokali, Albert Veliu telefonoi në praninë time numrin 0672014472 për të cilin më tha se është Agron Xhafaj të cilin e thërriste ‘Pasha’.
Numrin e verifikova në True Caller dhe rezultoi që ishte i regjistruar me emrin Goni Xhafaj!
Pas bisedës telefonike Albert Veliu u kthye në lokal, ndërkohë që unë qëndrova në lokalin përballë.
Theksoj se në të gjitha takimet i kisha dhënë një pajisje regjistruese Albert Veliut.
Alberti erdhi menjëherë pas takimit me Agron Xhafaj (Gonin) dhe unë i mora pajisjen e regjistrimit të bisedës që i kisha dhënë”, thekson Olldashi.
Pas këtyre dëshmive shtohen gjithmonë e më shumë dyshimet për vërtetësinë e atij audio-përgjimi. Kush e ka bërë atë: Agroni, ‘Babalja’ apo gazetari?


