Katër mjekë shqiptarë, të punësuar në qendrën spitalore “Nënë Tereza” janë nën hetim pas zbulimit të një skeme mashtrimi të organizuar mes vendit tonë dhe Italisë.
SPAK njoftoi sot se është goditur një bandë italo-shqiptare e cila nëpërmjet kontrabandës, fuste në vend ilaçe tumori.
Po ashtu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin mjekët shqiptarë dhe Italianë, përmes një dokumentacioni të falsifikuar ku i shfaqnin pacientët sikur ishin me sëmundje të rënda, bënin të mundur futjen e tyre në Itali, me pretendimin se kishin nevojë urgjente për ndihmë më të specializuar.
Fillimisht kërkesa bëhej nga ana e mjekëve shqiptarë të cilët i dërgonin në Itali emrin e “pacientit” bashkë me diagnozën, dhe menjëherë ishte përgjigja e mjekëve italianë që jepnin “Ok” që qytetarit t’i hapej drita jeshile për të kaluar në kufi. E gjithë kjo bëhej përmes përfitimit të parave ose shërbimeve seksuale që mjekët shqiptarë dhe italianë merrnin nga “pacienti”, pasi ky i fundit sapo kalonte kufirin vijonte jetën e tij.


