Shqipëria sot voton për zgjedhjet lokale për të zgjedhur 61 kryetarët e rinj të bashkive. Në këto 30 vite këto janë zgjedhjet e para ku opozita më e madhe në vend nuk merr pjesë. PD dhe LSI e kanë bojkotuar këtë garë elektorale.
12:15
Militantët të PD-së janë konfliktuar me disa persona në një qendër votimi.
“Asnjë të drejtë nuk ka këtu. Këtu nuk ka zgjedhje por ka votime. Pse nuk na lini të rrimë këtu. Ne nuk kemi asnjë konflikt.”, është shprehur një qytetare.
12:23
Digjen materialet zgjedhore në fshatin Prekal të njësisë administrative Postribë në krahinën e Dukagjinit në Shkodër. Kjo ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në mbrëmje kur persona të paidentifikuar kanë hyrë me forcë në shkollën e fshatit dhe kanë djegur të gjitha materialet zgjedhore.
Sipas informacioneve të para ende nuk ka asnjë person të shoqëruar nga policia. Për shkak të djegies së materialeve zgjedhore në qendrën e votimit të fshatit Prekal nuk është mundësuar zhvillimi i procesit zgjedhor. Kjo është një nga gjashtë qendrat e votimit të Shkodrës ku nuk ka filluar procesi zgjedhor.
Cënohet votuesi/ Kamera e televizionit shkel privatësinë e Shkodranëve
E drejta për votim të fshehtë është shkelur sot në Shkodër.
Kjo e drejtë është cënuar nga kamerat e televizionit lokal ‘Tv Rozafa’, e cila teksa ishte duke transmetuar ‘live’ pamjet nga qendrat e votimit ka transmetuar një qytetar duke votuar. Në pamje shihej qartë fleta e votimit.
Kujtojmë se në postin e kryetarit të bashkisë Shkodër kandidon vetëm Partia Socialiste me Valdrin Pjetrin.




