Shqipëria do të goditet nga valë më ekstreme të nxehti si efekt i ndryshimeve klimatike, ndërkohë që tendenca e reshjeve po shkon në kah të kundërt me atë që ka rajoni. Rënia e tyre është me të paktën 20 për qind. Janë këto disa nga rezultatet që nxjerr një studim i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal i lidhur me ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor.
Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor sipas studimit konsiderohen në brezin e vendeve me rrezik të mesëm deri në të lartë sa i përket ndryshimeve klimatike për shkak të përqindjes së lartë të popullatës që është e punësuar në sektorë të lidhur me motin dhe klimën. Edhe papunësia e lartë është një pengesë e dukshme e përbashkët për gjithë rajonin.
Të dhënat e mbledhura tregojnë se i gjithë rajoni është nën një rritje domethënëse të temperaturave më e theksuar në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë dhe më pak në Maqedoni.
Rritja e temperaturave është duke u intensifikuar nga jugu në veri. Republika e Maqedonisë dhe pjesa qendrore dhe jugore e Shqipërisë kanë ndryshime në intervalin 0.5-1 gradë celsius, ndërsa në veri të Shqipërisë dhe në katër ekonomi të tjera të Ballkanit Perëndimor në intervalin 1-1.5 gradë celsius.
Ndryshimet klimatike 2016-2035
Ndryshimet klimatike pritet të kenë efekte edhe më të dukshme në të ardhmen e ndarë në parashikimet që bëhen në të paktën tre etapa. Për atë të parë që është 2016-2035 numri i ditëve të nxehta do të rritet me 5-10 ditë dhe me vlera më të larta domethënëse në disa rajone si zona bregdetare shqiptare, rajoni I Podgoricës,, Maqedonia, Serbia Jugore dhe qendrore dhe disa pjesë të Bosnjë Hercegovinës.
“Mesatarja e gjatësisë dhe frekuenca e valëve të të nxehtit po rriten lehtësisht me ndryshime të mundshme më të theksuara në disa rajone të jugut çka lajmëron për një rritje ndoshta më ekstreme sesa shihet, veçanërisht në zonat bregdetare të Shqipërisë, në zonën Jugore të Bosnjës , Në Podgorice dhe juglindja e Maqedonisë” vlerëson studimi. /Monitor/



