Ministri i Punëve të Brendshme të Kroacisë, Davor Bozhinoviç, bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas akuzave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar “një aleancë ushtarake kundër popullit serb”.
“Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare e bën në mënyrë transparente”, theksoi Bozhinoviç.
Pas pjesëmarrjes në pritjen tradicionale festive të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) për të festuar Krishtlindjet sipas kalendarit Julian, Bozhinoviç tha se mesazhet për paqe dhe bashkëpunim janë diçka që duhet të jetë e përbashkët në rajon dhe në vendet fqinje. Dita më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë vizitës në Trebinje, në entitetin boshnjak të Republikës Sërspka kishte thënë se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nuk kishin krijuar një aleancë kundër Austrisë, sepse Austria është ushtarakisht neutrale, por kundër Serbisë dhe popullit serb.
Ministrat e mbrojtjes së Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan në mars të vitit 2025 një deklaratë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Serbia reagoi ashpër, duke e parë si një nismë kundër saj.
Më herët, Qeveria e Kroacisë kishte thënë për REL-it se deklarata nuk synon krijimin e një aleance ushtarake, dhe një aleancë e tillë nuk është e nevojshme përveç NATO-s. Kroacia dhe Shqipëria janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova, të cilën Serbia nuk e njeh si të pavarur, nuk është anëtare e aleancës ushtarake perëndimore.


