Ka një të arrestuar për shpërthimin e ndodhur më 1 mars 2024 në kapanonin në ndërtim në periferi të Lushnjes që i mori jetën babë e bir, ndërsa u plagosën 7 të tjerë mes tyre dhe deputeti socialist Bujar Çela pronar i magazinës që po ngrihej.
Në pranga ka rënë përgjegjësi që po kryente punimet, Leonard Gjini, pronar i Gjini Konstruksion sh.p.k. një biznes me aktivitet ndërtimi dhe zbatim projektesh me konstruksion beton dhe hekur.
Policia thotë se ai ka lejuar punimet pa respektuar rregulloret e sigurimit Teknik duke sjellë dhe pasoja të rënda.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, me mosveprimet e tij, duke qenë i autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit, sipas kontratës së sipërmarrjes, ka lejuar kryerjen e punimeve, pa respektuar regulloret përkatese të sigurimit teknik, të disiplines teknike të mbrojtes në punë dhe nuk ka marë masa për zbatimin, duke sjellë pasoja të rënda’ informoi sot policia e Fierit. Gjini ishte autorizuar për kryerjen e ndërtimit të kapanonit për magazinë në lagjen “Karbunarë e madhe”, sipas kontratës së sipërmarrjes firmosur me Bujar Çelën më 27 nëntor 2023
32 vjeçari banues në fshatin Goriçaj u arrestua për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasoja të rënda.


